Kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë të përbashkët për media me homologun kroat, Andrej Plenkoviç, gjatë së cilës foli dhe për sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sipas tij është e papranueshme që të shpallet zi kombëtare për terroristët, ndërsa shtoi se kjo duhet dënuar.
“Nuk është e pranueshme që në mes të Europës e në mes të një rajoni ku gjithë vendet kanë shprehur vullnetin që të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë, ushtarakisht me uniforma ilegale t’i marrë jetën një efektivi policie dhe pastaj t’i gëzohet nderit më të lartë që mund të ekzistojë, zisë kombëtare në vendin nga ku e ka origjinën. Kjo është kulmi, e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e dënueshme,” – u shpreh Rama.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun kroat Rama, u shpreh se është pozitive reduktimi i forcave të ushtrisë serbe nga kufiri i Kosovës.