Të paktën 110 delfinë u gjetën të pajetë javën e kaluar në lumin Tefé në Amazonën braziliane, mes një vale të paprecedentë të të nxehtit që goditi rajonin, raportoi Instituti për Zhvillimin e Qëndrueshëm Mamirauá.
Bëhet fjalë për ekzemplarë të delfinëve rozë dhe gri (tucuxi), në rrezik zhdukjeje.
Në një deklaratë, instituti nënvizon se, megjithëse “është ende herët për të ditur shkakun e kësaj ngjarjeje ekstreme të vdekshmërisë”, specialistët besojnë se “sigurisht që lidhet me periudhën aktuale të thatësirës dhe temperaturat e larta të lumit”.
Sipas studiuesve, matjet e kryera zbuluan se temperatura e ujit arriti në 40°C në një thellësi prej tre metrash, shumë mbi temperaturën mesatare rekord prej 32 gradë Celsius të regjistruar deri më tani.
Përballë këtij skenari kritik, ekipet e specialistëve u vendosën për të monitoruar kafshët ende të pranishme në lumë, për të kërkuar dhe mbledhur kufomat, si dhe për të mbledhur mostra sëmundjesh dhe uji.
Numri i lartë i vdekjeve ka rritur më tej rrezikun e zhdukjes së këtyre specieve.
Sipas regjistrimit të fundit, në vitet 2010 kishte deri në 900 delfinë rozë dhe 500 tucuxi në rajon.