Shkruan :Pastor Femi Cakolli
Tri profeci që lidhen me Serbinë? Çka tha Dobrica Qosiq për serbët dhe për shtetësinë e kishave serbe në Kosovë? Cila është skema aktuale e politikës serbe? Sharllatania e një “prifti” nga Elbasani dhe naiviteti kosovar. Pse shqiptarët dhe serbët (nuk) e respektojnë njëri-tjetrin dhe sa janë të dallueshëm dhe të ngjashëm këta popuj? Kur do ta transferojnë vetëdijen fisnore e krahinore kosovarët në atë kombëtare e shtetërore? Kur Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës?
Cila ishte profecia e plakës holandeze më 1988?
Nga dëshmitë që unë i kam dëgjuar vetë prej disa dëshmitarëve, ishte viti 1988 kur në Prishtinë vjen në plakë holandeze e krishterë në kishën protestante të Prishtinës dhe nis një kurs nga mjekësia se si duhet të lidhen varrët ose plagët. Ishte e pabesueshme që dikush ta merrte për bazë. Ajo në mesazhin e saj thoshte se do të keni shumë të plagosur dhe rrugët e juaja do të mbushen me gjak andaj duhet të mësoni se si të kujdesuni për njerëzit e plagosur nga armët e zjarrit.
Po profecia e të urtit serb më 1989!
E kisha takuar një ose dy herë në jetën time por kisha dëgjuar shumë herë për të. Ishte burrë i moshuar. Kishte shtat të shkurtër. I butë. Ishte protestant me besim. Shërbente në Serbi dhe Maqedoni. Ai kishte nisur t’u thoshte njerëzve se Zoti i kishte folur për ta paralajmëruar Serbinë. Vetëm pak veta e kishin besuar profecinë e tij. Ne nga Kosova në fakt besonim sa nga dëshpërimi po kaq dhe nga liria. Ai paralajmëronte se Serbia do të bombardohej dy herë nga NATO. Herën e parë do të jetë shkurt dhe pa dëme e pa pasoja të mëdha. Herën e dytë sërish do të bombardohet nga NATO por atëherë më nuk do të ketë Serbi.
Çka u lut holandezi për Mitrovicën më 1997?
Më kujtohet në vitin 1997 shkuam në Mitrovicë, me një pastor holandez, atje në kodër, pjesa veriore, dhe i cili kishte fjalë profetike. Ai nxori një shishe të vogël me mirrë (vaj) dhe e deri në atë pjesë dhe po lutej në anglisht. Dhe ai po lutej Zotit me këto fjalë “o Zot këtu ka shumë ndyrësi frymërash dhe të lutem pastroji me vajin tënd dhe çliroje këtë qytet dhe kurseje nga vuajtjet e mëdha”. E kisha shënuar këtë lutje dhe e kisha regjistruar këtë gjest të pastorit holandez Jaap. Atëherë asgjë nuk po kuptoja nga kjo lutje. Pas luftës miku im erdhi sërish në Kosovë dhe tani më nuk mund të shkonim tek ajo pjesë. U ndalëm tek ura. Aty bëri lutje tjetër profetike “kjo urë nuk do të lidh më popujt e as vendin”.
Kur në veri fryun!?
Në veri, konkretisht në fshatin Banjë (ju lutem nuk e di pse gati të gjithë po i referohen fshatit në variantin e gjuhës serbe me Banjska) fryu më 24 shtator 2023! Për ne kosovarët është veriu e për Serbinë është jugu. Të dielën kur zakonisht është ditë pushimi e fundjave për ne si të krishterë është dita kur shkojmë në kishë për të pasur bashkësim me Zotin dhe me njëri-tjetrin, për t’u lutur, për të adhuruar. Në mëngjesin e hershëm sapo u zgjova menjëherë kuptova nga lajmet e portaleve se në veri të vendit ishte vrarë një polic i Republikës së Kosovës dhe dy ishin plagosur nga një grup i madh i armatosur serbësh. Në krahun tjetër Policia e Kosovës kishte vrarë 3 apo katër pjesëtarë të këtij grupi ushtarak, disa të plagosur dhe disa tjerë të arrestuar. U kapën armë të reja dhe aq të shumta, sipas disa analizave, sa mund të luftonin rreth 400 veta.
Disa miq që i kemi si komunitet protestant nëpër në botë e që janë lutur dhe që kanë kontribuar për popullin dhe vendin tonë menjëherë na dërgojnë pyetje, të shqetësuar, se çka po ndodhë në veri. Kështu atë të diele dhe ditët në vijim u lutëm si kishë gjatë të mbledhurit tonë e veçanërisht për paqen dhe qetësinë, për familjen e policit Afrim Bunjaku, i shpallur hero, si dhe për serbët dhe gjithë tjerët që jetojnë në atë pjesë të vendit tonë. Kanë kaluar qe 24 vjet dhe veriu nuk është i qetë, dhe është trajtuar vazhdimisht me asnjëlloj autoriteti nga pala kosovare. Shumë është folur se kush e ka fajin për gjendjen. Shumë është folur se kush përfiton nga kjo gjendje. Se edhe serbë e shqiptarë bashkëpunojnë në krime sidomos ekonomike. Flitet se kush tradhton e kush saboton institucionet kosovare e kush bashkëpunon me botën e krimit. Shumë prognoza janë bërë se çka mund të ishte bërë dhe se çka duhet të bëhet.
A pati armë në manastir a jo?
Kjo është pyetja që shumë kujt i intereson, sigurisht edhe organeve të sigurisë, bashkësive fetare, opinionit etj. Hetimet policore dhe të tjera sigurisht se do të dalin me një konstatim me prova. Kur u futën ato armë aty? A bashkëpunuan kleri i manastirit dhe eprorët tjerë lidhur me këtë apo jo? Personalisht uroj që këto mos të jenë të vërteta. Nëse dëshmohet se pati bashkëpunim me grupin sulmues atëherë Kisha Ortodokse dhe shteti i Kosovës duhet të nisin një marrëdhënie të re e cila mund të quhet “Trakti i Mirëbesimit”. Ky traktat do të garantonte dy gjëra. E para që kisha serbe të garantojë që nuk do të përfshihet në veprimtari joligjore dhe punë shtetërore nga brenda dhe nga jashtë, dhe e dyta nëse vërtet nuk kanë ndodhur kurrë këto ose në variantin që nëse kanë ndodhur të falen, të lirohet nga stigmatizmi, dhe të zotohen që më kurrë nuk do të gjenden në këso veprash.
Çka tha Dobrica Qosiq për kishat në Kosovë?
Fillimisht në prillin e vitit 1981 propozoi që Serbia ta çlirojë Kosovën. Pastaj në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, D. Qosiq kishte disa propozime për të ardhmen e Kosovës duke propozuar edhe ndarjen e Kosovës me disa varianta e nënvarianta. Mirëpo sa më shumë që po shihej në horizont ardhja e pavarësisë së Kosovës ai i ndryshonte tezat e tij dhe pastaj propozoi që të gjitha kishat serbe në Kosovë duhet të fitojnë statusin e shtetësisë sikurse është Vatikani, Andora, San Maria etj, duke shtuar se Europa ka përvojë të mirë me krijimin e këtyre minishteteve. Kjo deklaratë e tij ishte bërë në janarin e 1999. Dy muaj më vonë propozoi që veriun e Kosovës Serbia ta aneksojë pra t’ia bashkangjesë shtetit serb, dhe këtë ia kishte propozuar diplomatit Kristofer Hill, sot ambasador i SHBA në Beograd. Kurse dy muaj tjerë më vonë sërish në opinion doli me idenë për shtetësinë e të gjitha kishave serbe. Ide tjetër e tij e bërë në vitin 2002 ishte fedarilizimi i Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve. Pas dy vitesh, ndërsa zhvillimet politike po ndryshonin, atëherë propozoi autonomi për veriun për serbët dhe kjo ishte hera e parë që një autoritet serb e përmend këtë.
Skema aktuale e botës serbe në Ballkan dhe baza e patriotizmit serb!
Populli serb çdoherë ka pasur njerëz të mirë, trima, të edukuar, me takt, me kulturë dhe që i kanë dhënë vlera rajonit dhe Europës. Kështu ju mund të thoni se është njësoj edhe me popujt tjerë. Po sigurisht, veç dallimi është se në Ballkan serbët dhe Serbia qe 100 vjet së paku ka qenë një shtet me peshë kryesore në Ballkan. Nga ana kulturore ndoshta gjithë popujt e Ballkanit janë më poshtë sesa gjatë kohës së komunizmit, por mendoj se Serbia ka degraduar më së keqi duke nisur katër luftëra brenda 7 vitesh dhe duke qenë i vetmi shtet pa perspektivë të Bashkimit Europian. Ne kemi dëgjuar kohëve të fundit për projektin me emrin “Bota Serbe”. Nuk di për serbët tjerë nëpër botë por për këta që janë në Ballkan në dy shekujt e fundit, hiq kohën komuniste, skema e tyre dominuese duket se është kështu: socio-nacionalizëm i mbështjellë me klerikalizëm dhe kriminalizëm.
Çdo popull mburret me patriotizmin e tij që e kanë ose që e nxisin për të pasur, mirëpo është një shkrimtar i madh serb, ka qenë kryetar i federatës së Jugosllavisë, dhe në opinionin e tyre njihet edhe si babai i kombit serb, quhet Dobrica Qosiq, dhe ai në vitin 1961 shkroi në romanin e tij:” … ne gënjejmë për lirinë tonë. Gënjeshtra është formë e patriotizmit serb. Vërtetim i qenies sonë të lindur … gënjeshtra është interes shtetëror serb … në këtë vend çdo gënjeshtër bëhet e vërtetë! Serbët shumëherë gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra!”. Nuk e di kontekstin e kësaj thënie të akademikut serb. Madje duke hulumtuar për origjinalitetin e kësaj thënie thuhet se në fakt autori nuk ka përmend asnjëherë fjalën serb. Le të mbetet kjo qoftë e nënkuptuar qoftë që të verifikohet.
Serbia vrau dhe dëboi shqiptarë nga trojet e tyre që maten me qindra mijërash
Nga ana tjetër po nga ky popull ka aq kriminelë e vrasës të poshtër se nuk i gjen në popuj tjerë. Ne si popull së paku në tetë periudha ose momente kohore kemi vuajtur shumë prej tyre:
– 1877-78 serbët dëbojnë gjithë shqiptarët e besimit myslimanë nga trojet e tyre prej Sanxhakut të Nishit dhe i depërtojnë në Kosovë, Maqedoni e Turqi.
– Më 1912 gjatë luftërave ballkanike atëherë vijnë forcat serbe dhe vranë me mijëra shqiptarë
– Më 1913 ndodh e njëjta gjë.
– Më 1915/16 kur austriakët tërhiqen nga Ballkani serbët vrasin me mijëra shqiptarë
– Më 1921-23 detyrohen me qindra mijëra shqiptarë të shpërngulen në Turqi
– Më 1944-45 ndërsa forcat gjermane dhe italiane më herët tërhiqen nga Kosova atëherë me mijëra shqiptarë vriten brenda dhe jashtë Kosovës.
– Më 1953-1957 me qindra mijëra shqiptarë dëbohen nga Kosova për në Turqi.
– Më 1999 gjatë luftës së fundit kur vetë Serbia detyrohet të tërhiqet, ajo para se ta bënte këtë me mijëra shqiptarë i vret.
E vetmja periudhë ta themi paqësore që shqiptarët e Kosovës ishin më mirë ishin vitet 1966-1980, dhe pastaj me disa represione dhe diskriminime të shtuara prej 1981-1989.
Shumë shqiptarë dhe shumë-sharllatania e tij e fortë e të ashtuquajturit prift i kishës shqiptare nga Elbasani!
Ky quhet At Nikolla Xhufka. Ky është cirkus në vete. Çdo gjë këtu është triviale. Disa herë pati madje edhe paraqitje e pjesëmarrje nëpër debate në disa televizione kosovare. Bëri edhe skandale duke provuar që të hyjë me dhunë në Manastirin e Deçanit. Pretendon se ka kishën “Shën Kozmani” në Elbasan të cilën e quan shpesh edhe Kisha “Fan Noli”. Dhe e kemi parë madje edhe duke lëshuar deklarata politike dhe kanunore ku mallkon kishën ortodokse serbe pasi grupi terrorist serb ishte gjetur në hapësirat e manastirit në Banjë të Zveçanit. Për habinë time, shumë miq e shumë persona që i njoh e të cilët janë serioz në jetë, në gjykime e në njohuri i kanë bërë “share” këtij postimi dhe duke e mbështetur me komente të habitshme. Çfarë euforie është kjo! Një person që gjoja pretendon se përfaqëson një kishë inekzistente me disa ikona në një bodrum, e që ai e quan kishë katakomb, në Elbasan të ngritet në maje të një bashkëreagimi kolektiv nga vendi ynë vërtet nuk lyp shumë koment se çka i servirim opinionit. Shihni në profilin e tij vendimin kanunor kishtar. Shihni imazhin e djeshëm me pushkë automatike. Pika e parë e “kanunores” thotë: “Kisha jonë e mallkon kishë serbe dhe kreun e saj Patriarkun Profire”. Tani le ta shohim edhe pikën e gjashtë: “Ndalimin e hyrjes së çdo prifti serb në kishën shqiptare”. Kjo mund të jetë edhe çmendi.
Pse shqiptarë tonë të shumtë nga Kosova harlisen e i rrinë araz për këto fjalë të një prifti mashtrues, për mallkime. Si iu imponua kaq shumë mediokriteti ekstrem në çdo gjë shoqërisë sonë madje edhe atyre që dikur i quanim intelektualë. Ta supozojmë se vërtet ky është vërtet prift, dhe se vërtet ka kishë, se ka komunitet, a jemi thirrë të bekojmë apo të mallkojmë! Si ka mundësi që ne të bëhemi kaq budallenj për një “prift” që Zoti e di kujt i shërben? Miq të mirë, kushdo që magjepseni pas fuqisë mallkuese që mund të ketë gjoja kisha dhe priftërinjtë, si dikur që na bënte kisha greke dhe serbe, bëhuni më të zgjuar, më të vendosur dhe formoni siç duhet Kishën Ortodokse Shqiptare të Kosovës dhe me kë duhet e jo me sharllatana dhe me turp bote si ky Nikolla që na vjen këtu. Trashëgimia ortodokse e Kosovës është e këtij vendi dhe e këtij populli. Bëhuni serioz kush e beson këtë se duhet vepruar me njerëzit e duhur dhe me mënyrën e duhur. Kjo punë kërkon 100 vjet veprim e jo vetëm llafe nëpër kafene, nëpër studio, nëpër facebook.
Pse serbët e shqiptarët (nuk) e respektojnë njëri-tjetrin?
Ka shumë narracione mes shqiptarëve dhe serbëve. Te dy palët kanë pikëtakimet dhe pikëdallimet e tyre. Duket se derisa nuk formohet shteti serb gjatë Konferencës së vitit 1878 te dy këta popuj kanë jetuar në harmoni e respekt për njëri-tjetrin. Stigmatizimi nga ana serbe doli në pah kur nisi t’i trajtojë shqiptarët myslimanë si turq. Sipas shumë dëshmive, gjatë asaj kohe, nisi edhe narracioni shqiptar kundër serbëve. Ata që historia i njohu si “muhaxhirët” kur u dëbuan nga trojet e tyre nga serbët dhe erdhën në trojet shqiptare të ish-jugosllavisë e filluan tregimin kundër serbëve. Shqiptarët ortodoksë në Serbinë e sotme prej Serbisë qendrore e deri në Vranjë mbetën andej dhe deri vonë ata i rezistuan asimilimit por sistemi dhe ideologjia kreu misionin që gjithë ata shqiptarë ortodoksë jo vetëm të asaj pjese të Serbisë por edhe krejtësisht ata që jetonin në Kosovë u serbizuan.
Me këtë kartë normal që u shpërla truri edhe në të menduarit shqiptar nga hoxhallarët dhe aktivistë të tjerë se gjoja islami shpëtoi shqiptarët nga serbizimi. Deri tash askush nga historianët ende nuk e ndriti këtë hipotezë dhe rolin që pati kleri islam në këtë proces serbizimi, helenizimi e maqedonizimi të shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë. Për kureshtjen e juaj sot në Turqi në mesin e shumë shqiptarëve myslimanë, e që po ashtu u turqizuan atje, shkuan edhe pak familje shqiptare ortodokse, të cilat edhe sot vazhdojnë të mbesin me besim ortodoks e të jenë edhe shqiptarë pa u turqizuar.
Si i vogël jam rritur me narracionin se ne shqiptarët jemi me trima kurse serbët janë më frikacakë. Se ne jemi me të mirë e ata më të këqij. Se ne mbajmë besën kurse ata jo. Se feja jonë, pra islami është më i pastër, kurse feja e tyre më e ndyer. Se ata e hajnë mishin e derrit e ne jo. Se ne kur shkojmë në nevojtore marrim ujë dhe e lajmë prapanicën kurse këta e kanë plot m… prapanicën duke u mundue me e fshi me letra etj. Narracioni ynë është se toka jonë është deri te Molla e Kuqe, kurse narracioni serb është se toka e tyre është deri në Durrës. Narracioni ynë thotë se Stefan Nemanja, Millosh Kopiliqi, mbreti Aleksandër Karagjergji, kishat ortodokse janë shqiptare kurse narracioni i tyre thotë se ne kemi ardhur nga Kaukazi gjatë kohës turke bile këtë po e mbështesin edhe disa imamë kosovarë së fundi, se Skënderbeu ishte serb, se ne jemi serbë në esencë por që jemi bërë myslimanë, se ne jemi të egër, kemi bishta, bëjmë shumë fëmijë etj.
Nga ana tjetër ka narracione tjera të kota për njëri-tjetrin e të cilat janë të ngjashme. Serbët mendojnë se shqiptarët janë të vendosur, e ndihmojnë njëri-tjetrin, dinë si të lobojnë, kanë para shumë, dinë si të luftojnë, organizohen etj. Në anën tjetër shqiptarët për serbët thonë se ata nuk tradhtojnë kombin e tyre, e mbajnë shtetin dhe për shtet sakrifikojnë edhe fëmijët e tyre, se kanë vetëdije shumë të lartë shtetërore, se bëjnë plane të stërholluara, se janë më të mençur, se nuk e lëshojnë njëri-tjetrin etj.
E vërteta është se ne si dy popuj ma shumë ngjasojmë me njëri-tjetrin sesa dallojmë! Nuk kam vërejtur kurrë një diferencë domethënëse kulturore mes shqiptarëve dhe serbëve dhe disa popujve tjerë në Gadishullin Ilirik. Kurrë nuk kemi dëgjuar që një shqiptar me vullnetin e tij të bëhej serb ose e kundërta. Pra shqiptarët kulturalisht kurrë nuk janë ndje inferiorë në raport me serbët. Ka pasur mjaft raste gjatë shekullit të kaluar kur janë serbizuar shqiptarët ortodoksë të Kosovës dhe të cilët ishin përfshirë disa prej tyre në krime serbe duke vrarë shqiptarë. Dikush mund të habitet pse po themi se këta dy popuj janë më shumë të ngjashëm sesa të ndryshëm. Si e dimë këtë sigurt? Serbët kur kanë ardhur në gadishullin tonë ata ishin paganë dhe krishterimin e ritit lindor e kanë marrë prej paraardhësve tonë. Nga ana tjetër, a po themi se nga Vranja e deri në Aleksinc ishin shqiptarë ortodoksë që u serbizuan. A nuk thotë kjo se jemi njësoj kokëfortë, njësoj komunitarë, njësoj shkaktues luftërash, njësoj me pas inat, njësoj me pas hakmarrje, njësoj me pasë gjallëri e zhurma etj. Një serbe njëherë më tha se ne në Kragujevc aty ku jetojnë serbët e Kosovës i quajmë “shiptari”. E pyeta pse? Ajo tha se i bëjnë krejt gjërat njësoj sikurse ju në Kosovë (dasmat e mëdha, pije shumë, muzikë të lartë, shtëpi të mëdha, thërrasin mysafirë për çdo natë, i bëjnë muret e larta të shtëpive, blejnë prona, kanë shumë vetura, jetojnë bashkë, fëmijët e tyre janë biznesmenë, gjinden në fakultetet më të mira etj.).
Kur do ta transferojmë vetëdijen dhe kulturën fisnore në atë kombëtare dhe shtetërore?
Mjafton të shihni në rrjetet sociale pas rastit të Banjës të Zveçanit dhe të dëshmohet vetëdije e shumtë fisnore duke ekzaltuar dikush të afërmin e tij nga forcat speciale të sigurisë, një tjetër se filan personi është nga fshati a qyteti i tij, dikush në stilin “o na shpëtuan këta 20 burra”, o është snajperisti që i ka vra të gjithë, o shikoni këtë fytyrë të policit që serbët po tmerrohen, dikush tjetër lavdëron drejtorin e policisë, dikush ministrin, dikush dromët etj. Pse të mendojmë si grupe, si farefis, si zona etj. e jo si shtet. Kosova është shtet. Duhet të veprojë në çdo gjë si shtet. Shteti ka institucionet e veta. Bërja e shtetit të Kosovës është vullnet i Perëndisë. Sa prej nesh dëgjojmë çdo ditë duke e sharë e ofenduar shtetin tonë prej shumë individëve kosovarë në stilin: o shtet i poshtër; çfarë shteti bre; uh nanën e shtetit; t’pshurrsha shtetin; t’dhjefsha shtetin; o ishalla kthehen shkiet more idiota e hajna etj. Këso fjalë personalisht kam dëgjuar edhe nga klerikët tonë të krishterë e myslimanë madje. Nga na politike po ashtu ka lloj-lloj deklarimesh dhe pozicionesh që disa ende nuk e shohin Kosovën shtet, disa e shohin se duhet ndarë me Serbinë e Shqipërinë, disa e shohin bashkim me shtetin e Shqipërisë. E shumë prej tyre madje edhe e formulojnë fraza kontradiktore duke thënë se “shteti amë i Kosovës është Shqipëria”. Si ka mundësi që shteti i shtetësisë së Kosovës të jetë Shqipëria. Nëse ne besojmë se fjala ka fuqi atëherë çka po i bëjmë Kosovës dhe shtetësisë së saj me këto artikulime, këto qëndrime, këto mallkime, këto gojëkëqija?
Ne nuk e adhurojmë shtetin ama shteti është instrument i Zotit, dhe madje sipas Apostull Palit shteti, ose pushteti, quhet shërbëtor i Perëndisë. Shumë të krishterë janë të hutuar sidomos kur shteti ose pushteti është i i padrejtë, diktator, vrasës, skllavërues etj. dhe e ngrejnë pyetjen si mundet që një pushtet, përkatësisht në shtet, i këtillë mund të jetë shërbëtor i Perëndisë, pasi të krishterët janë thirrur që t’i binden pushtetit?
Kur Serbia do e njeh pavarësinë e Kosovës?
Kjo do të ndodhë atëherë kur ne të kemi mbledhur mend, të ndryshojmë dhe të nisim mos t’i bëjmë ato gjëra që i shkrova këtu më sipër. Sa për fillim!
