Para një jave presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani propozoi që së bashku me SHBA-në të hartohet një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që konsiderohet thelbësor nga bashkësia ndërkombëtare dhe deri tash, s’pati ndonjë të re në këtë drejtim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës muajin e kaluar dhe pasi u kthye nga atje, propozoi që të dyja vendet së bashku ta përgatisin statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në Washington, Asociacioni tashmë konsiderohet çështja thelbësore për t’u zbatuar nga marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Osmani, megjithëse beson se “s’është perfekte”, thekson se është obligim ndërkombëtar.
“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, ta përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht (vetëm me SHBA-në), unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, ta prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit (Antony Blinken) draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin (e shkruar) nga Chollet dhe Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani në një intervistë për RTK-në.
Kanë kaluar një javë nga ajo deklaratë dhe nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.
Asociacionin e kërkon para të gjithave edhe BE-ja. Kjo tashmë është kërkesë zyrtare e bllokut europian për Kosovën dhe kryeministrit Albin Kurti i kërkohet ta nisë punën menjëherë.
Kryediplomati europian, Josep Borrell tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e refuzoi një propozim të BE-së për zbatimin e marrëveshjes në takimin e 14 shtatorit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Propozimi i BE-së e kishte si bazë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nisja e procesit negociues rreth statutit të tij është vendosur në krye të hapave për implementimin e marrëveshjes.
Ndërsa do të niste puna për statutin e Asociacionit, Serbia parashihej të mos insistonte më në përdorimin e asteriksit dhe fusnotës në emrin e Kosovës në forumet rajonale. Strukturat ilegale që veprojnë në Kosovë, sipas propozimit të BE-së, do të ndërprisnin veprimin vetëm pasi punët e tyre do të transferoheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Pasi Kurti doli dhe e akuzoi publikisht emisarin europian, Miroslav Lajçak se po koordinohej me Vuçiqin në një skenar kundër Kosovës, BE-ja e lëshoi një deklaratë zyrtare për t’i bërë thirrje Kosovës përmes Borrellit që ta nisë pa vonesa të reja dhe pa asnjë parakusht punën për themelimin e Asociacionit.
“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për t’i zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhej në deklaratën e BE-së.
Deklaratën e mbështetën edhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania e Franca veç e veç, duke konfirmuar se takimi i fundit Kurti-Vuçiq nuk e ka zmbrapsur Perëndimin për të insistuar sërish në zbatim të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve këtë vit