Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme dhe se aktivitetet kriminale në atë pjesë të Kosovës janë “të përputhura tërësisht me agjendat politike dhe me shumë nacionalizëm”.
Ai sot e korrigjoi pak qëndrimin e tij se “duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë”, duke thënë tash se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë duhet të forcohet në atë pjesë,
“Jemi duke e përcjellë situatën, është shumë me rëndësi se ka vullnet shumë të fuqishëm nga NATO-ja që ta forcojë KFOR-in në veri sepse kufiri atje është bërë krejtësisht transparent, ndodhin trafikime kriminale të armëve, dhe në të njëjtën kohë shpresojmë shumë se dialogu do të vazhdojë”, u shpreh Rama në hyrje të samitit të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Granada të Spanjës.
Rama tha se është shumë i shqetësuar pasi “rreziku potencial është rritur”.
“Jam shumë i shqetësuar sepse është një situatë shumë e rrezikshme dhe tani është në një pikë ku, vit pas viti, rreziku potencial është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku jeton pakica serbe në shumicë, janë të përputhura tërësisht me agjendat politike dhe me shumë nacionalizëm. Pra, është shumë e rrezikshme”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Ai shprehu edhe një herë kërkesën që bashkësia ndërkombëtare të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
“Jo vetëm që mendoj, por për herë të parë në së paku 10 vjet, Shqipëria nuk është rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së pikërisht për këtë. Ne kemi qenë vazhdimisht në pajtim të plotë me BE-në dhe ShBA-në në lidhje me nevojën që autoritetet e Kosovës të ecin përpara, të jenë më proaktivë dhe më konstruktivë në dialog, dhe nga perspektiva jonë, të marrin avantazhin më të mirë nga plani franko-gjerman që është marrëveshje shumë, shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë, vetëm fakti se Republika e Serbisë shpalli ditë zie kombëtare për të vajtuar pjesëtarët e atij grupi kriminal paramilitar që vrau një polic ishte e mjaftueshme për BE-në që të thotë hapur se kjo nuk është evropiane, nuk është e pranueshme, nuk është e arsyetueshme dhe është e dënueshme”, tha Rama.
Pasi u pyet për mundësinë e një lufte të re në Ballkan, Rama tha se “lufta është fjalë e madhe”, por tha se duhen marrë masa “para se të bëhet shumë vonë”