Pasi ministrat e Qeverisë së Kosovës nuk janë duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve opozitar reagime ka pasur nga disa deputetë të opozitës të Kuvendit të Kosovës.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi u shpreh se pyetjet e bëra nga deputetët e pozitës janë më shumë një test i Dejona Mihalit për punën e ministrave.
Musliu-Shoshi gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka thënë po ashtu tha se pyetjet e deputetëve të pozitës janë më shumë të drejtuara për komunat që drejtohet nga PDK.
E, për këtë ajo tha se në këto komuna punë po shkojnë “si vaji në tepsi”.
“Është mjaft shqetësuese për mënyrën e sjelljes nga pushteti sa i përket respektimit të opozitës. Sidoqoftë këto 30 pyetje që u adresuan nga deputetët e pushtetit, po shihen më shumë si një test i Dejonës për punën e ministrave e cila i përdor gjithmonë veglat e veta që i ka në Kuvend. Po e shoh një interes për komunat ku qeverisë PDK. Dhe më lejoni të ju them që aty ku qeverisë PDK, punët po shkojnë ‘si vaji në tepsi’. Ju kisha lut që të brengoseni me mënyrën se si trajtoheni nga ky kryeministër. Më lejoni që të ritheksoj që kjo çka kërkoi kryeministri është shkelje Kushtetuese”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Deputetja e PDK-së po ashtu tha se: “Se çfarë mendon kryeministri për Policinë e Kosovës ne e kemi parë sa ka qenë në opozitë. Isha e interesuar që ta ngris çështjen e peticionit që e kemi në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, për policët të cilët kërkojnë të trajtohen dinjitetshëm dhe të përfshihen në Ligjin e Pagave, e të trajtohen ashtu siç duhet”, u shpreh ajo.
Tutje ajo lëshoi një audio incizim të kahershëm të Albin Kurtit, ku ishte shprehur se nuk i besonte pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Nuk kam shpresë në zbatim e sundim të ligjit të kësaj policie të cilës nuk i ka mbetur asnjë gram patriotizëm. Po a e din ku e kam pa që në një farë mënyre kjo policia jonë ka vdekur për së gjalli?
Tetë mijë policë i kena. Shokët e tyre, 9 sosh janë dënuar me 11 vjet burg pse na i paskan rrahur truprojat e Vulinit e mos me guxu me çel gojën asnjë policë, kjo është me del për së gjalli…”, ishin fjalët e Kurti kohë më parë në këtë audio-inçizim.