Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se qëndrimi i qeverisë së tij për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur” nuk ka ndryshuar dhe se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, prezantoi “qëndrimin partiak” për këtë çështje.
“Qëndrimi i Qeverisë (i Maqedonisë së Veriut) mbetet i pandryshuar se si vend kemi një rol konstruktiv dhe pjesëmarrje në të gjitha nismat rajonale, duke përfshirë Ballkanin e Hapur përderisa këto nisma sjellin përfitime konkrete për qytetarët, për shtetet, për ekonomitë, për bizneset e vendeve që janë pjesë e tyre”, u tha Kovaçevski gazetarëve në fund të samitit të tretë joformal të Komunitetit Politik Europian në Granada të Spanjës.

Kryeministri theksoi se ministri i Jashtëm Osmani ka shpjeguar se qëndrimi i tij se Shkupi duhet të rishqyrtojë pjesëmarrjen në iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur” nëse vërtetohet se Serbia ka qenë e përfshirë në sulmin në veri të Kosovës, dy ditë më parë “është dhënë nga posti i nënkryetarit të një partie politike (i Bashkimit Demokratik Shqiptar për Integrim – BDI)”.
Siç theksoi Kovaçevski, paqja dhe stabiliteti janë thelbi i çdo nisme rajonale, qëllimi i së cilës është në radhë të parë prosperiteti ekonomik, por edhe tejkalimi i kufizimeve dhe sfidave ndërmjet vendeve.