Agron Gjekmarkaj
Kronikë e provave për festen e ardhjes në Kuvend të Babos të enjten
Pa u bërë ora 9-të sot në krye të rrugës që të shpie për në Kuvend u duk një si grup dasmoresh të veshur me rroba kombëtare. Ata në fakt ishin ministrat dhe deputetet e mazhorances të hijeshuar për festë e aheng.
Një ditë më parë qenkësh mbledhur grupi nën udhëheqësin e Bledi Çuçit duke rrahur mendime e hedhur propozime qysh të festohej sihariqi i ardhjes së Babos në Kuvend pas kaq e kaq kohesh.
Propozimet qenë të shumta deri aty sa të thirrej edhe shoku Gramoz për të mbikëqyrur skuadrën e fërlikut, kukurecit e të dollibashëve. Tao kishte marrë përsipër negociatën dhe perimetrin e sigurisë për një ziafet të bollshëm.
Dilo Nasufi i ra gjoksit se do të zgjidhte ca mzeter të mirë kodrave ndanë Beratit që fshataret ja bëjnë hallall partisë. Për rakinë u la ti çohej haber Tërmetit se ai sjell ballë kazani. Kur fjala byrek e petulla çau ajrin të gjithë kthyen kokën nga hallë Ikonomi e cila u ndie e përkëdhelur për besimin verësie.
Të gjithë po merrnin përsipër punë ustallëku e me dukje. Po qepët, hudhrat, patatet kush do ti qërojë, sallatën kush do grijë? Nga mesi u sallës u panë tre duar që u ngritën, ishin Klevis Xhoxhi, Xhemal Qefalia dhe Ilir Metaj. Punëve të padukshme të kuzhinës ju ofrua dhe Florian Spaho i cili sqaroi se Zoti ishte shërbëtori i parë dhe nga zemra i rrodhi fraza se dashuria e vërtetë është ajo që nuk e rreh gjoksin. Çuçi si njeri që nuk prish qejf pasi pa andej këtej me zë të ulet tha, dakord dakord po aty kishim menduar Lulin me të vetët.
Ndërsa vërtiteshin ide e piqeshin vendime Baftjar Zeqo po i pëshpëriste diçka në vesh Tezes e cila të Enjten u gremis në Kuvend duke shkaktuar dhimbje po edhe ndoca të qeshura.
Baftua me tespie në duar ishte i zymtë, ca ditë me parë kishte parë një kraharor gjeli dhe menjëherë diçka i kishte sëmbuar në gjoks.
Aty kishte lexuar që Tezes së aksionit, ritmit, optimizmit, kauzave, entuziazmit, do i ndodhte një zezonë.
Kur ajo u pland ai kishte psherëtirë por druante se gjëja nuk mbaron me kaq ndaj atërisht po e këshillonte mos të përfshihej në punë të rënda gjatë festes. Por ajo këmbënguli që me patjetër do hekuroste perdet tek e fundit me Antoneta Dhimen afër. Eni Xakës ju detyre të mbante tabakanë me llokume në hyrje të cilët do i spërkaste herë pas here me buzëqeshje. Pluhurat i mori përsipër Mete i financave me Blerinën. U vendos që për foto me Babon të zgjidhen veteranet Bozdo e Tatjana.
I dhënë siç jam pas ëmbëlsirave, grykës le të themi druaj se sapo të zgjas dorën për të marrë ndonjë do me kërcasë pas koke ndonjë laper nga Salianji e cili me thotë “haram, u mbytsh, tetë nga luftëtarët e lirisë me në krye Gaz Bardhin dergjen rrugëve nga ndëshkimi mizor i regjimit dhe ti merr nga dore e Xakës, vetë Albana tashmë e dashur për ne si Dalai Lama për Tibetianet nuk është sot këtu në ditën kur do mbrojmë Kosovën ndërsa ti çfarë bën? Llop aty e llop atje, tyt pizeveng”.
Vetëm mendimi me mbuloi me djersë. Le te kthehemi tek kronika. Ismet Beqiri i cili kohet e fundit ka rënë në sy për gurrën popullore që e frymëzon i nxitur edhe nga përvoja pozitive e Laertit në ruajtjen e lotëve ,” me leje tha…. unë propozoj që tani e tutje siç ruajmë lotët , të ruajmë edhe djerset, këtë e marr përsipër unë… ti mbledh dhe ti klasifikoj , djerse gëzimi, djerse pune, djerse ankthi, djerse frike, djerse pritje, djerse halli, djerse balli, djerse kraharori, djerse sqetulle, djerse duarsh, djersë këmbe”…Këtu Etilda u zalis dhe për pak mbledhja u ndërpre. Në korridor dëgjohej zëri i Etjenit që thërriste ujë, ujë, ujë. Po ajo e mori veten shpejt dhe siç u kuptua e kishte pasur nga gëzimi nga befasia e propozimit. Klotilda kaloi gjithashtu mornica të tilla.
Një burrë i gjate mbi një tapet në krah u pa tek ecte nën diell, nga pas një zonjë që kur shtroja ra nga pesha në tokë ajo tha dy a tri herë qyqja qyqja. Ishte Kryetarja Lindita Nikolla me sekretarin Genc Gjonçaj që po çonin më të mirin qilim për ta shtruar në hyrje. Nga pas shihej duke rëndur Kosta me një karrocë dore ngarkuar me qëndisma e zbukurime.
Siç e thamë tek porta u shfaqen festuesit e parë për prova . Atyre u prionte Eduard Shalsi e Toni Gogu me brandavekë, rrip të kuq mesi, me këmishë të bardhë plot qëndisma, xhamadan të kuq dhe nga një qylaf me shkabë mbi kokë. Të dy mbanin daulle të mëdha dhe u binin me ritëm mbresëlënës dap e dup, dup e dap. Niko nikoqiri i ngrohte telat një qemaneje të nxjerrë nga sënduku.
Margeriti binte në sy si me e gjata me xhubletën e Uneskos por edhe si me e qeshura nga natyra.
Mimi di Puccini me petkat e Dukagjinit, Majko me fustanellë si Gjergj Araniti, ministrja e cepit Delina me një dajre në dore, napolonat e se cilës nxirrnin xhixha nga e tundura, Elisa e cila po ushtrohej për vallen e Tropojës ndonëse në grup Tao kërkonte atë të Rrrajcës, Bela dhe Ulsiu kruanin zërin për këngën e Hajredin Pashës shiheshin më se miri.
Ogerta nuk u pa askund. Pyetem na u përgjigjen se është neper shkolla po zgjedh pionierët e dalluar të cilët do ti dhurojnë lule Babos tek shkallet. Vjershat e mirëseardhjes do ti këndojë Bora. Skenografinë do e realizojë Mazniku me ndihmën e Lal Erit se ënde bëhen. Gozhdët si inxhinier do i temprojë Arben Pëllumbi.
Albana e mjekësisë rrinte si mënjanë me dy kutia të ndihmës së shpejtë për alivanosje nga gëzimi. Xhafa dhe Braçja pa qejf si angari lyenin kangjellat ndërsa Çyrbja digjte shaminë e beqarit. Damon e kishin lënë të shërbente ujë me broke, të bënte hyzmet pas ndërhyrjes zemërgjerë të Klosit. Natën Ditmari i kishte hequr një fshesë oborrit si kontribut vullnetar. Ndërkohë dy të infiltruar po çojnë lajme Doktorit që pritet të dërgojë Kryezëvendës Liderin për mësymje të përgjithshme ku hareja të shndërrohet në vaj dhe Babo të ike nga sytë këmbët si aleat i Vuçiçit.
