Situata në veri rrezikon procesin e rregullt të regjistrimit

by engel

Ekzistojnë parakushte reale që procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave të dështojë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – thonë zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Ilir Berisha, zëvendëskryeshef i ASK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata në veri, e cila muajve të fundit është karakterizuar me tensione dhe trazira, lë pak hapësirë ose fare për të shpresuar se procesi i regjistrimit atje do të mund të realizohet.

Për më shumë, sipas tij, rekomandimet nga Agjencia evropiane e Statistikave – Eurostat, por edhe baza ligjore e Kosovës thonë se regjistrimi i popullsisë nuk realizohet në situata të veçanta, në zonat ku ka trazira në një periudhë jo më pak se gjashtë muaj para regjistrimit.

Ligji përcakton që “në raste të jashtëzakonshme, data e regjistrimit të rishikohet”.

Në këtë kontekst, Berisha thotë se janë dy alternativa – që procesi i regjistrimit të zbatohet në gjithë Kosovën, përveç veriut, ose që procesi të shtyhet në tërësi për një periudhë tjetër.

“Ekzistojnë gjasat e mëdha që të shtyhet regjistrimi. Një prej arsyeve është situata në katër komunat veriore. Vendimin e merr Qeveria [e Kosovës]. Ne i kemi cekur [arsyet], por nuk i kemi dërguar [ende] në qeveri. E kemi të gatshëm dokumentin, që këto janë çështje që duhet pasur parasysh”, thotë Berisha.

Rreth 50.000 serbë që jetojnë në veri të Kosovës, nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytet të tyrin. Ata janë përplasur shpesh me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë.

Mungesë vullneti për pjesëmarrje në regjistrim. Disa qytetarë serbë në veri të Kosovës thonë se situata në këtë pjesë është e rëndë dhe se njerëzit as që mendojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë.

Sipas vjetarit statistikor të Kosovës, i publikuar në fund të shtatorit 2023, Mitrovica e Veriut kishte 11.882 banorë në dhjetor të vitit 2021, Leposaviqi – 12.881 banorë, Zubin Potoku – 6.605 banorë dhe Zveçani – 7.192 banorë.

Me vendimin e Qeverisë së vendit, është caktuar që procesi i regjistrimit të nisë më 1 nëntor, në tërë territorin e Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy