“Presioni” për t’u kthyer në dialog, Osmani e Konjufca ‘rezistojnë” Kurti s’flet shumë

by Nexhat

Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca kanë deklaruar mosgatishërinë e Kosovës për t’u kthyer si zakonisht në dialogun me Serbinë, pas sulmit të 24 shtatorit, ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka venodsur të mos flasë. “Sanksionet (ndaj Serbisë) fillimisht e më pas mund të diskutojmë”, thotë Presidentja. Dialogu tash “është në rend të tretë”, thotë Kryeparlamentari. Por ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier thotë se është “jetike” dhe “urgjente” kthimi në dialog, ashtu siç është shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde më herët. Në Bruksel thonë se “nuk ka asnjë rrugë tjetër, pos kthimit në dialog”.

Ndërsa kërkon që bashkësia ndërkombëtare t’i vendos sanksione Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Kosova s’duket e gatshme t’i përgjigjet një thirrjeje të mundshme së shpejti për t’u kthyer në dialog.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Granada të Spanjës më 5 tetor, atje ku po qëndronin të dy për samitin e Komunitetit Politik Europian. Ajo tha se nuk kishte arsye të fliste me të para se ndaj vendosen sanksione ndaj Beogradit.

“Nuk ka arsye për t’u takuar para se të vendosen sanksione kundër Vuçiqit. Sanksionet fillimisht e më pas mund të diskutojmë për të tjerat”, u shpreh Osmani.

Në Granda të Spanjës tha se kishte shkuar për të kërkuar mbështetjen e partnerëve dhe miqve europianë “për ta sanksionuar Serbinë në mënyrë që ajo të mos nxitet për të kryer akte të tilla agresioni kundër Kosovës dhe vendeve të tjera fqinje sërish”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, beson gjithashtu se dialogu s’është në rend tash. Ai tha se Kosova aktualisht nuk e ka prioritet këtë proces.

“Tash procesi politik është në rend të tretë. Në rend të parë është çështja e sigurisë së Kosovës. Unë mendoj që sot Policia e Kosovës nuk është duke menduar për Asociacionin, është duke menduar se si ta shmangë një sulm të ardhshëm nga shteti serb, që mund të na vijë”, tha kryeparlamentari të martën nga Berlini, ku po qëndron në një vizitë zyrtare.

Konjufca i akuzoi ndërmjetësuesit europianë, kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak se me qasjen e tyre në dialog e kanë inkurajuar Serbinë për të ndërmarrë sulme si ai i 24 shtatorit.

“Rezultati i kësaj çështjeje ka qenë inkurajimi i Serbisë që provoi me kësi sulmi mos është rasti për aneksimin e veriut të Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti s’ka pasur ndonjë deklarim për këtë çështje, ndërkohë që Bashkimi Europian thotë se ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duhet t’i kthehen dialogut.

Zëdhënësi i Brukselit, Peter Stano, tha të martën në një konferencë për media se “nuk ka asnjë rrugë tjetër, pos kthimit në dialog”, duke iu bërë thirrje palëve që të angazhohen në arritjen e kompromiseve të nevojshme.

Për sulmin, ai tha se po presin rezultatet përfundimtare të hetimit, ndërsa iu përgjigj qëndrimeve në Kosovë.

“Duhet të shohim hapa të arsyeshëm drejt deeskalimit kuptimplotë, kthim në dialog, e kur vjen te ngjarjet e 24 shtatorit hetim të plotë e përfundimtar. Sa i përket kushtëzimit për kthim në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të qartë, dialogu duhet të vazhdojë, dyja palët duhet të kthehen në dialog”, theksoi Stano.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dy ditë pas sulmit në veri u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani duke kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Ne duam ta shohim Marrëveshjen e Ohrit të zbatuar në plotni nga të dyja palët dhe mendojmë që dialogu është mënyra për ta arritur këtë. Do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet në Kosovë e Serbi që të avancojmë në këtë drejtim”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier tha të hënën se është jetike dhe urgjente kthimi në dialog.

“Më duhet të besoj se nëse të dyja palët do të zbatonin plotësisht detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues, rrethanat që pamë më 24 shtator nuk do të ndodhnin. Dhe kështu, nga këndvështrimi ynë, është jetike, është urgjente të kthehemi në një proces”, tha ai në një intervistë për Bloomberg.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se “sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist” i 24 shtatorit “nënvizon nevojën urgjente për t’i vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit tani”.

Osmani në fund të shtatorit, tri ditë pas sulmit në Banjskë, propozoi që së bashku me SHBA-në të hartohet një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që konsiderohet thelbësor nga bashkësia ndërkombëtare. Por deri tash, s’pati ndonjë të re në këtë drejtim.

Asociacioni si hap i parë i Kosovës për zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, është tashmë kërkesë zyrtare e BE-së.

Takimi i 14 shtatorit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel përfundoi pa rezultat dhe u pasua nga akuzat e kryeministrit të Kosovës se emisari europian ishte angazhuar në një skenar kundër Kosovës, në koordinim me presidentin serb.

Konjufca i dha mbështetje Kurtit, duke thënë se tashmë kishte mbetur vetëm një rrugë përpara.

“Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara: Asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem”, shprehej kryeparlamentari/EXPRESS

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy