UEFA ende nuk ka vendosur nëse do të shtyhet ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila është planifikuar të luhet me 15 tetor në stadiumin “Fadil Vokrrit” në Prishtinë.
Në një përgjigje të shkurtër me shkrim, zyra për media e UEFA, i ka thënë RTV Dukagjinit, se është duke e monitoruar situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm me palët e përfshira.
“UEFA do të vazhdojë që ta monitorojë situatën për së afërmi dhe do të jetë në kontakt me të gjitha ekipet që janë të përfshira para se ta marrim një vendim për datat e reja dhe në ndryshime potenciale për ndeshjet e ardhshme. Për momentin, nuk kemi ndonjë koment tjetër për këtë temë”, shkruan në përgjigjen e shtëpisë së futbollit evropian.
UEFA ka shkruar më tej se deri me tani, ka vendosur që të anulojë të gjitha ndeshjet që ishin planifikuar të luhen në territorin e Izraelit, për shkak të sigurisë. Po ashtu, është caktuar edhe termini i ri i duelit, Izrael – Zvicër, i cili do të luhet e 15 nëntor, por ende nuk dihet lokacioni.
E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të luftës që ka nisur ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.
Kosova është takuar një herë deri me tani me Izraelin. Dueli i luajtur në Tel Aviv kishte përfunduar 1:1.