Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës, të cilën e cilësoi të brishtë pas ngjarjeve të 24 shtatorit.
Ambasadori Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa pasi të vërtetohet se kush qëndron prapa atij sulmi që u krye nga individë të cilët kishin armë që nuk mund të blihen në tregun lokal por duhet një formë strukture shtetërore që t’i ofrojë ato. Ambasadori Hovenier, ritheksoi kërkesën që Serbia të bashkëpunojë për ndriçimin e plotë të ngjarjeve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Zëri i Amerikës: Ambasador, më shumë se dy javë nga sulmi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, si e vlerësoni situatën e sigurisë në këtë vend?
Jeff Hovenier: Situata e sigurisë mbetet diçka për të cilën jemi shumë të shqetësuar dhe Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë ndërmarrë hapa sepse ne ishim thellësisht të shqetësuar për atë që ndodhi në Banjskë dhe më gjerësisht për situatën e sigurisë në veri. Siç mund ta keni dëgjuar dje gjatë ndërrimit të komandës së KFOR-it, admirali Munch, komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, bëri të ditur se nga 24 shtatori, NATO-ja ka trefishuar numrin e patrullimeve. Këshilli i Atlantikut të Veriut mori vendim për të rritur ndjeshëm numrin e forcave të KFOR-it. Ne e marrim këtë seriozisht. Situatën aktuale do ta karakterizoja si të brishtë, por të qetë apo më të qetë. Por ju e dini, ka një brishtësi dhe ne jemi shumë të përqendruar për të ndihmuar menaxhuar situatën dhe të përpiqemi të shmangim incidente të tjera që mund të çojnë në dhunë e që do të ndikonin, do të kërcënonin popullsinë civile atje, por edhe forcat e ligjshme të sigurisë atje, policinë e Kosovës dhe sigurisht edhe praninë ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Ambasador, që në fillim thatë se në sulm nuk përfshihej ndonjë grup spontan i qytetarëve që nuk janë të kënaqur me diçka, por ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Çfarë mendoni ju? Kush ishte organizatori dhe trajneri i atij grupi?
Jeff Hovenier: Së pari mendoj se është e rëndësishme të flasim për atë që dimë dhe atë që ende po përpiqemi të kuptojmë. Dhe ka disa gjëra që ne i dimë. Siç më cituat më parë e dimë se ky grup individësh nuk ishte spontan. Këta individë, të gjithë serbë etnikë me sa dimë, kishin qasje dhe posedonin armë të sofistikuara qëKëta individë, të gjithë serbë etnikë me sa dimë, kishin qasje dhe posedonin armë të sofistikuara, që nuk mund t’i blini në tregun lokal. Ju duhet një lloj strukture, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron.
nuk mund t’i blini në tregun lokal. Ju duhet një lloj strukture, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron. Ne e dimë se pjesa më e madhe e materialit që ata lanë pas, ishte me origjinë serbe. E dimë se një individ, z. Milan Radoiçiç, i cili ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe, bëri një deklaratë publike përmes avokatit të tij duke marrë përsipër përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte marrë pjesë në të. Këto janë gjërat që ne i dimë tani dhe po përpiqemi të kuptojmë më shumë. Ne e dimë se kjo nuk mund të ndodhte vetëm spontanisht. Pra, siç e kam thënë edhe më parë, pas kësaj kishte struktura ose organizata. Ajo që ne ende po përpiqemi të kuptojmë është saktësisht se si funksionoi.
Zëri i Amerikës: Më lejoni, ambasador, nëse armët janë me origjinë nga Serbia dhe ne kemi një personazh publik që mori përgjegjësinë, pra Milan Radoiçiç. A nuk është ky argument se Serbia qëndron pas sulmit?
Jeff Hovenier: Ka shumë njerëz që e thonë këtë. Kam dëgjuar shumë zyrtarë në qeverinë e Kosovës ta thonë këtë në veçanti. Ne duam të jemi shumë të kujdesshëm përpara se të bëjmë përcaktimet përfundimtare të asaj që ne e quajmë atribuim, për t’u siguruar që e kemi kuptuar saktësisht. Por, siç thashë, ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe po punojmë me miqtë tanë në qeverinë e Kosovës dhe gjetkë për ta kuptuar më mirë këtë.
Zëri i Amerikës: Udhëheqësit e Kosovës thonë se ky ishte një sulm agresioni i Serbisë ndaj Kosovës dhe kërkojnë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. A mund të ketë masa të tilla nga Shtetet e Bashkuara?
Jeff Hovenier: Një nga gjërat që kam thënë, një nga gjërat që ka thënë sekretari Antony Blinken dhe të tjerët, është se ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal, ata që janë përgjegjës për ekzekutimin e tij, ata që janë përgjegjës për planifikimin e tij, ata që janë përgjegjës për sigurimin e mbështetjes për të, duhet të mbahen përgjegjës. Dhe ndërsa kuptojmë se kush është përgjegjës, ne besojmë se ata duhet të mbahen përgjegjës. Ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Serbisë që të marrë pjesë plotësisht në këtë hetim dhe të kërkojë llogari nga njerëzit atje. Natyrisht, ne mbështesim përpjekjet e autoriteteve të Kosovës këtu në sistemin e tyre gjyqësor për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës. Kështu që nuk përjashtoj veprimet në të ardhmen. Ne jemi ende duke parë për të kuptuar se çfarë ndodhi, por ne do të marrim vendime se çfarë hapash duhet të ndërmarrim ndërsa arrijmë në përcaktimet tona përfundimtare për përgjegjësinë. Por, të mos ketë mëdyshje, ata që janë përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm dhe vrasjen e një punonjësi policie duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi.
Zëri i Amerikës: Por ne kemi z. Radoiçiç që doli dhe tha se është përgjegjës për këtë sulm, por ai u lirua shumë shpejt nga autoritetet serbe. Gjykuar nga kjo, si mund të llogarisni në Serbinë se do të bashkëpunojë për zbardhjen e ngjarjes dhe për të vënë autorët para drejtësisë?
Jeff Hovenier: Unë mund të flas vetëm për pikëpamjen dhe qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të cilën ia kemi shprehur publikisht qeverisë së Serbisë. Pra, ky ishte një krim, ishte një kërcënim për sovranitetin dhe qëndrueshmërinë e rajonit, kërcënoi qytetarët e Kosovës, kërcënoi edhe paqeruajtësit ndërkombëtarë në rajon. Dhe ne besojmë se ata kriminelë të përfshirë në këtë duhet të mbahen përgjegjës. Dhe ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Serbisë që të luajë një rol për t’u siguruar që kjo të ndodhë. Nuk mund të flas për veçantitë e një vendimi gjyqësor në lidhje me arrestin shtëpiak. Me sa kam kuptuar zoti Radoiçiç është arrestuar dhe akuzohet për disa krime shumë të rënda. Pritjet e qeverisë sime janë se ai do të mbahet përgjegjës për ato krime.
Zëri i Amerikës: Por ai është i lirë….?
Jeff Hovenier: Me sa kam kuptuar ai është në arrest shtëpiak, subjekt i një procesi penal.
Zëri i Amerikës: A jeni gati të merrni masa ndaj Serbisë nëse nuk bashkëpunon me drejtësinë?
Jeff Hovenier: Ky nuk është një vendim që do ta marr si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ky është një vendim që do të marrë qeveria ime. Por, më lejoni të them përsëri, ne besojmë se përgjegjësit për këtë krim duhet dhe do të mbahen përgjegjës.
Zëri i Amerikës: Ambasador, shumë në Kosovë shprehin shqetësimin se pa masa ndaj Serbisë mund të përsëriten veprime të ngjashme si ky i 24 shtatorit. A jeni i shqetësuar për këtë mundësi?
Jeff Hovenier: Jemi të shqetësuar për çdo veprim që do të destabilizonte situatën në veri. Jemi të shqetësuar për çdo veprim që rezulton në individë të armatosur dhe të trajnuar që veprojnë në një mënyrë që është në kundërshtim me rendin ligjor. Ne besojmë se ky është territor sovran i Kosovës. Besojmë se autoritetet e Kosovës kanë përgjegjësinë për të zbatuar ligjin. Pra, ne e marrim atë shumë seriozisht.
Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, vëzhguesit ndërkombëtarë, veçanërisht disa analistë amerikanë, thonë se Uashingtoni dhe natyrisht Brukseli ishin shumë të ashpër në qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, por jo mjaft të ashpër ndaj Serbisë. U deshën vetëm disa orë për të vënë disa sanksione kundër Kosovës për shkak të tensioneve në veri, por ne nuk kemi asnjë masë ndaj Serbisë tani, pas 24 shtatorit?
Jeff Hovenier: Ajo që mund të them është së pikë së pari, nuk do t’i barazoja këto dy rrethana. Së dyti, do të thosha se qeveria e Shteteve të Bashkuara vendosi të ndërmarrë disa veprime pasi kryeministri (i Kosovës), kundër këshillës sonë, ndërmori veprime që përdorën, nga këndvështrimi ynë, forcë të panevojshme për të siguruar qasje në ndërtesat komunale, duke kontribuar në një destabilizim në veri. Ne e kishim të qartë që ky ishte një problem. Ne nuk morëm masat që mori Bashkimi Evropian, por qeveria e Shteteve të Bashkuara bëri disa gjëra, duke e bërë të qartë se presim që qeveria e Kosovës të punojë me ne për të forcuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë në veri. Ne kemi pritje të ngjashme për Serbinë. Dhe sërish do të them se ndërsa të arrijmë në përfundimet tona, për përgjegjësinë përfundimtare ose atë që ne e quajmë atribuim për këto akte, ne do t’i mbajmë përgjegjës ata që janë përgjegjës. Por ndërkohë presim që Republika e Kosovës dhe qeveria e Kosovës të punojnë me ne për të krijuar kushte për qëndrueshmëri më të madhe dhe ulje të tensioneve në veri. Kjo është ende një pjesë shumë e rëndësishme e punës sonë këtu. Pra, kjo është arsyeja pse unë kam bërë një sërë deklaratash, si edhe zyrtarë të tjerë amerikanë, për nevojën për të ecur përpara me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Nëse asgjë tjetër ngjarjet e 24 shtatorit tregojnë se ekziston një nevojë urgjente për të arritur në një ripozicionim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një marrëdhënie në të cilën ka respekt të ndërsjellë, një në të cilën mosmarrëveshjet zgjidhen me mjete paqësore, një në të cilën komuniteti etnik serb në Kosovë ndjen se respektohet dhe mund të gëzojë disa të drejta për t’i mbrojtur pjesëtarët e tij. E gjithë kjo është pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE. Është shumë thelbësore të shkohet drejt kësaj, për t’iu rikthyer procesit të arritjes së zbatimit të plotë nga të dyja palët të marrëveshjeve të arritura, Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj.
Zëri i Amerikës: Por zoti ambasador, në dritën e këtyre ngjarjeve të fundit, a mund të konsiderohet ende si “punë e zakonshme” dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian? Ju jeni diplomat dhe nuk do ta përdornit shprehjen “dialog i vdekur”, por disa në Kosovë e kanë quajtur të tillë.
Jeff Hovenier: Epo, unë do të kontestoja pohimin se ka vdekur dhe do të shtroja gjithashtu pyetjen, çfarë nënkuptojnë njerëzit me “punë e zakonshme”? Nëse “biznes si zakonisht” do të thotë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të bëjnë përpjekjet e tyre maksimale për të promovuar një marrëveshje që është në dobi të të dyja vendeve, atëherë po, ne do ta vazhdojmë atë veprim. Tani për tani, mendoj se kemi një problem. Problemi është më pak çështja e një marrëveshjeje që në fakt është mjaft e mirë për të dyja vendet dhe më shumë një çështje e vullnetit politik nga të dyja palët për të zbatuar realisht detyrimet që i kanë marrë përsipër lirisht. Ata duhet ta bëjnë këtë. Dhe ne do të vazhdojmë me atë punë të zbatimit të një marrëveshjeje të mirë që ndryshon marrëdhëniet dhe krijon kushte të një qëndrueshmërie dhe sigurie më të madhe për popullin e Kosovës dhe për popullin e Serbisë. Dhe nuk mendoj se do të kërkojmë ndjesë që kjo do të vazhdojë të jetë qasja jonë. Megjithatë, sigurisht që do të jemi të qartë për faktin se duhet të shohim vullnet më të madh politik nga të dyja palët për t’i zbatuar plotësisht ato detyrime.
Zëri i Amerikës: …Edhe pse udhëheqësit Kosovës po thonë tani se dialogu nuk është përparësi, por siguria e Kosovës është përparësi?
Jeff Hovenier: Jam dakord që siguria e Kosovës është një pëparësi shumë e lartë. Unë besoj, qeveria ime beson se një nga mënyrat për të rritur urgjentisht sigurinë e Kosovës është përmes zbatimit të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të zbatimit. Kjo do të rrisë jashtëzakonisht sigurinë e Kosovës. Prandaj, ne mendojmë se është kaq urgjente të ecim përpara në dialog për ta arritur këtë.
Zëri i Amerikës: Ambasador, kur flasim për marrëveshjet, Asociacioni i komunave me shumicë serbe prej kohësh, që nga dita e parë, është konsideruar si “thembra e Akilit” në procesin e negociatave, duke ngritur shqetësimin se mund të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Si mund të zbatohet kjo marrëveshje duke trajtuar në të njëjtën kohë shqetësimet e Prishtinës për ndikimin e saj?
Jeff Hovenier: Më vjen shumë mirë që e bëtë këtë pyetje sepse është diçka për të cilën flasim shumë, si publikisht ashtu edhe me qeverinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë qenë vërtetë mjaft të qarta për këtë. Ne besojmë se Kosova ka një detyrim të përhershëm që nga viti 2013, për ta çuar përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, ne kemi bërë gjithashtu gjithçka që është e mundur për të njohur këtë shqetësim. Dhe ne nuk e përjashtojmë shqetësimin se nëse bëhet në mënyrë të gabuar, në fakt mund të dëmtojë funksionimin e mirë të shtetit të Kosovës, diçka që askush nga ne nuk dëshiron taAsociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, pra pa ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Duhet të jetë në përputhje me angazhimin e BE-së se nuk ka kompetenca ekzekutive. Ai duhet të jetë në përputhje me një dokument publik të hartuar me shumë kujdes nga Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari ynë i posaçëm për Ballkanin, Gabriel Escobar.
shohë. Por kjo është arsyeja pse qeveria ime ka qenë kaq e qartë për ato që unë i quaj parmakë ose kufizime për mënyrën se si duhet të themelohet ai. Dhe më lejoni t’i përsëris ato. Shtetet e Bashkuara besojnë se pavarësisht se çfarë asociacioni të themelohet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, pra pa ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Duhet të jetë në përputhje me angazhimin e Bashkimit Evropian se nuk ka kompetenca ekzekutive. Ai duhet të jetë në përputhje me një dokument publik të hartuar me shumë kujdes nga Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari ynë i posaçëm për Ballkanin, Gabriel Escobar, që i shpalosën të gjitha këto. Ajo që ne shohim është bashkërendimi në mes të komunave me shumicë serbe dhe se si ato i ushtrojnë funksionet që tashmë i kanë sipas Kushtetutës së Kosovës bazuar në planin e Ahtisarit dhe fushat ku i kanë këto përgjegjësi si arsimi, kujdesi shëndetësor, shfrytëzimi i tokës, gjëra të tilla. Ne gjithashtu besojmë se duhet të sigurojë transparencë. Sipas planit të Ahtisarit, qeveria e Serbisë ka të drejtë, nëse dëshiron ta ushtrojë atë, të ofrojë mbështetje për komunitetin etnik serb në Kosovë. Por kjo duhet të bëhet në një mënyrë që të jetë në përputhje me strukturën ligjore të Kosovës dhe që të respektojë sovranitetin e Kosovës. Pra, e gjithë çështja e kujdesit shëndetësor apo e sistemit arsimor duhet të jetë transparente dhe në përputhje me ligjet e Kosovës. Ky do të ishte një përmirësim i dukshëm në situatën aktuale. Ai do të adresonte shqetësimet e komunitetit etnik serb dhe, ne besojmë, do t’i ndihmonte qëndrueshmërisë. Pra, ne i sfidojmë ata që thonë se për nga natyra e tij, asociacioni i komunave me shumicë serbe është i dëmshëm për funksionimin e mirë të shtetit të Kosovës. Ne besojmë fuqimisht se ka mënyra për ta bërë këtë asisoj që në të vërtetë përmirëson funksionin e shtetit të Kosovës duke përmbushur gjithashtu rolin kritik të trajtimit të shqetësimeve reale të komunitetit etnik serb në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Kur po ua shpjegoni këtë udhëheqësve të Kosovës, si reagojnë ata?
Jeff Hovenier: Do t’ua lë udhëheqësve të Kosovës të flasin vetë. Gjithçka që mund të them është se mendoj se kemi një argument bindës.
Zëri i Amerikës: Ambasador, por kur flisni me njerëzit në Kosovë, ndonjëherë thonë se, e dini, edhe me ato garanci, njerëz si Milan Radoiçiç mund ta udhëheqin atë asociacion të komunave. Si mund të ndihemi rehat me njerëz si ai?
Jeff Hovenier: Kjo duket hipotetike. Dhe në fund të fundit, besojmë se duhet të ketë njëfarë besimi në bashkësinë ndërkombëtare dhe në veten tonë që të jemi në gjendje ta zbatojmë këtë në një mënyrë që është në të mirë të popullit të Kosovës, përfshirë komunitetin etnik serb në Kosovë, duke respektuar dhe pranuar kuadrin aktual ligjor.
Zëri i Amerikës: Ambasador, autoritetet e Kosovës shprehën pakënaqësi ndaj ndërmjetësit të BE-së, Miloslav Lajçak, duke e perceptuar qasjen e tij si, siç thanë ata, shumë të pabalancuar. Në të njëjtën kohë, ka kërkesa në rritje për më shumë përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së. Cilat janë shanset për më shumë SHBA në këtë proces?
Jeff Hovenier: Nuk jam i sigurt se sa më shumë Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në këtë proces. Ky është me të drejtë një dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është me vend, sepse në fund të fundit, stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë Bashkimit Evropian. Në fund të fundit, siç deklaroi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell në Ohër, këto angazhime që janë marrë duhet të bëhen pjesë e proceseve të anëtarësimit për të dyja vendet. Dhe meqë bëhet fjalë për një proces evropian me detyrime evropiane dhe angazhime evropiane, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të marrë drejtimin dhe lehtësimin e atij që në fund nuk është një dialog me Evropën, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë treguar sa e sa herë se sa seriozisht e marrim këtë, sa të përkushtuar jemi që ta shohim këtë çështje të zgjidhur me sukses. Miroslav Lajçak gëzon mbështetjen tonë të plotë. Ky dialog e gëzon mbështetjen tonë. Unë shpenzoj më shumë kohë në këto çështje se në çdo gjë tjetër që bëj si ambasador amerikan në Kosovë. Kolegu im në Beograd është shumë i përfshirë. I dërguari ynë i posaçëm është shumë, shumë i përfshirë. Kështu që ndonjëherë jam në siklet kur njerëzit pyesin sa më të përfshirë mund të jemi kur mendoj se sa të përfshirë jemi tashmë. Në fund të fundit ne duam të shohim sukses për Kosovën. Duam të shohim sukses edhe për Serbinë. Dhe ne duam të shohim sukses për Bashkimin Evropian për t’i parë këto vende plotësisht në rrugën e integrimit në bllok, gjë që do të rriste qëndrueshmërinë, do të rriste përparimin dhe do të ndihmonte realizimin e kësaj pikëpamjeje që ne të gjithë e ndajmë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Ky është qëllimi përfundimtar.
Zëri i Amerikës: A mund të presim ndonjë lëvizje në ditët në vijim për të çuar përpara këtë proces të dialogut? A ka ndonjë plan?
Jeff Hovenier: Ne jemi shumë të përkushtuar për të parë përparim në dialog. Nuk mund të flas për veçanti, por pres përpjekje të reja sepse është urgjente. Siç e thashë edhe më parë, 24 shtatori tregoi se nuk kemi kohë për të humbur. Ne duhet të ecim përpara urgjentisht me arritjen e mirëkuptimit të përbashkët se si të zbatohen plotësisht, në mënyrë efektive, detyrimet që janë marrë nga të dyja vendet sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj.
Zëri i Amerikës: Po kthehem sërish te 24 shtatori. A shihni ndonjë shenjë të ndërhyrjes së Rusisë në atë që ndodhi në veri, duke pasur parasysh se disa do të argumentojnë se kjo do të ishte në dobi të qëllimit të Kremlinit për të larguar vëmendjen nga Ukraina?
Jeff Hovenier: Mendoj se ne të gjithë duhet të shqetësohemi për çdo gjë që do të largonte vëmendjen nga çështjet kritike në Ukrainë dhe nga lloji i luftës brutale të (Vladimir) Putinit dhe këtij parimit që Putini beson se ai do të vendos për të ardhmen e një vendi fqinj dhe jo qytetarët e atij vendi. Nuk mund ta pranojmë këtë. Dhe, sigurisht, ai përfiton kur ka paqëndrueshmëri diku tjetër në rajon. Jam i sigurt se ai është i kënaqur kur ka paqëndrueshmëri dhe konflikt. Nga ana tjetër, tani për tani nuk mund të them se kemi ndonjë informacion që do të sugjeronte drejtpërdrejt se Putini ose Kremlini qëndron pas disa prej paqëndrueshmërive që kemi parë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, ajo që ne duam të bëjmë është të shmangim konfliktin duke ecur përpara për të arritur zbatimin e plotë të Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit, i cili do të largonte këtë burim të paqëndrueshmërisë së mundshme. Nga këndvështrimi ynë, kjo është urgjente