Gjykata Themelore e Ferizajt ka përpiluar Aktgjykimin për dënimin me burgim të përjetshëm të Dardan Krivaqës, i cili akuzohet për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit, me të cilën bashkëjetonte. Gazeta Express ka siguruar Aktgjykimin, ku tregohet në detaje si u krye vrasja makabre nga Krivaqa, motivi i vrasjes dhe arsyetimi i trupit gjykues për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Në Aktgjykim thuhet se “i akuzuari me dashje, nga motivi i xhelozisë, në mënyrë mizore duke e goditur me një kabllo të mbushjes së telefonit dhe me një shkop të zi e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani”
“Sa i përket të akuzuarit Dardan Krivaqa, nga provat e administruara, gjykata ka konstatuar përtej dyshimit të bazuar se në veprimet tij janë prezentë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.4 të KRPK’së, si në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e këtij aktgjykimi, me ç’rast i akuzuari me dashje, nga motivi i xhelozisë, në mënyrë mizore duke e goditur me një kabllo të mbushjes së telefonit dhe me një shkop të zi e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar, ku vdekja e saj ka qenë e ngadalshme, si pasojë e përdorimit të forcës fizike në mënyrë graduale, kohë pas kohe për një periudhë kohore prej së paku 48 orëve, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike. Se i akuzuari Dardan Krivaqa ka ushtruar dhunë posaçërisht të rëndë-ekstreme të rëndë ndaj të ndjerës Marigona Osmani, vërtetohet edhe nga raporti i autopsisë nr.ref. MA21-248 të dt.23.08.2021, të përpiluar nga eksperti mjeko-ligjor Prof. Dr. Naim Haliti, në të cilin raport janë të përshkruara në detaje të gjitha lëndimet e shkaktuara të shumëfishta trupore dhe shkaku i vdekjes së saj”, thuhet në aktgjykim.
Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se motivi i vrasjes makabre ishte xhelozia e paarsyeshme e Krivaqës ndaj të ndjerës
“Andaj, nga e tërë kjo që u theksua më lartë trupi gjykues ka ardhur në përfundim se motivi i kryerjes së kësaj vrasje makabre është xhelozia e pa arsyesshme e të akuzuarit Dardan Krivaça ndaj të ndjerës Marigona Osmani, e jo për të fshehur veprën penale të dhunimit siç pretendon prokurori i shtetit, kryerja e së cilës nuk u vërtetua me asnjë provë”, theksohet në Aktgjykim.
Rrethana lehtësuese për Krivaqën nuk ka gjetur, derisa si rrethana rënduese, gjykata ka marrë parasysh:
-Shkallën e lartë të përgjegjësisë penale, rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, instensitetin e lartë të dëmtimit të vlerës së mbrojtur – e drejta për jetë, e cila garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventat Ndërkombëtare të cilat janë të zbatueshme drejtpërdrejtë në vendin tonë.
-Se veprën penale i akuzuari e ka kryer me paramendim, nga motivi i xhelozisë ndaj anëtarit të ngushtë të familjes – tani të ndjerën Marigona Osmani me të cilën ka bashkëjetuar,
-Moshën e re të të ndjerës, e cila veç sa e kishte arritur moshën 18-vjeçare
-Mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale- në mënyrën më barbare me privimin gradual nga jeta në një ambient të mbyllur në banesë, ku e ndjera ka qenë krejtësisht e pambrojtur.
-I akuzuari ka qenë edhe më parë i dënuar me aktgjykime të formës së prerë për vepra penale të natyrave të ndryshme.