Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se “nuk ka ndodhë në histori të këtij shteti që Qeveria t’ua ndalë pagesën për rrezikshmëri Policisë së Kosovës.
Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës tërë kohën merret me opozitën e nuk merret me detyrat të cilat ia ka dhënë Kuvendi.
“AAK-ja është subjekti politik që e ka votuar marrëveshjen ndërkombëtare për reforma sociale. A e dini që ministri i Financave, qe pesë muaj, prej që është votuar marrëveshja, asnjë letër nuk ia ka dërguar Kuvendit. Çka do të bëjë me reformat sociale? Ky ministër merret vetëm me opozitën, duke e sulmuar, e jo me punën dhe detyrën që ia ka dhënë ky Kuvend dhe ky popull”, ka thënë Tahiri.
Fjalimi i plotë i Tahirit:
Ajo që duhet të dijë qytetari i Kosovës është se ky Kuvend me një vendim të prerë të lidershipit të VV-së është duke e bojkotuar të diskutojë një kërkesë të opozitës, të iniciuar nga PDK-ja, për tri ligje, të cilat, sot, nuk do të ishin dashtë të jenë në diskutim.
Sot, po flasim për diçka që iu takon Policëve të Kosovës. Po të kishim Qeveri të mirë dhe efektive, ky Kuvend nuk është dashur të diskutojë për shtesa të rrezikshmërisë, për shkak se ato janë obligim i Qeverisë që t’ua transferojë Policëve të Kosovës. Nuk kanë ndodhë në histori të këtij shteti, që Qeveria t’ua ndalë pagesën për rrezikshmëri Policisë së Kosovës, duke e ditur që janë të vetmit që po e rrezikojnë jetën.
Nuk janë deputetët, as ministrat e as kryeministri, as kryetarët komunave, as zyrtarët komunalë dhe asamblistët, por janë Policia e Kosovës që po e rrezikojnë jetën, dhe pagesa për rrezikshmëri iu takon me ligj. Kjo nuk do duhej të diskutohej, sepse është diçka që u takon. Pra, po diskutojmë për një kauzë që qëllimisht po e krijon kjo Qeveri.
Është dashur të diskutojmë për sigurimin shëndetësor të policëve dhe për një kërkesë legjitime – pensionimin e parakohshëm.
AAK-ja është subjekti politik që e ka votuar marrëveshjen ndërkombëtare për reforma sociale. A e dini që ministri i Financave, qe pesë muaj, prej që është votuar marrëveshja, asnjë letër nuk ia ka dërguar Kuvendit. Çka do të bëjë me reformat sociale? Ky ministër merret vetëm me opozitën, duke e sulmuar, e jo me punën dhe detyrën që ia ka dhënë ky Kuvend dhe ky popull.
Si grup parlamentar nuk do të ndalemi dhe nuk do të zmbrapsemi nga kryeministri Kurti, i cili duke mos u përgjigjur pyetjeve, mundohet ta mashtrojë një popull. Ai mund t’i mashtrojë votuesit e vet, por jo popullin. AAK-ja i ka votuar ligje me 61 vota, e lëre më marrëveshje ndërkombëtare.
Është ky kryeministër, që me urdhër të tij, nuk e lë të themelohet Komisioni hetimor për rezerva shtetërore, aty ku është hajnia ma e madhe. Është vjedh në miell e sheqer! E, mundohet ta fajësojë opozitën për marrëveshje ndërkombëtare.
Nga sanksionet të cilat iu kanë vu nga bashkësia ndërkombëtare, shuma është me e madhe se sa e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në këtë logjikë, nuk do të mashtrohemi dhe as do të zmbrapsemi. Instrumenti ynë i vetëm për diskutim është ky Kuvend, që na e ka dhënë populli, e shumica e 50 përqindëshit, që e harruan Policinë, duhet të veprojnë sepse e kanë përgjegjësinë.
Nuk kanë guxim, nuk kanë dije dhe nuk donë, prandaj duhet t’i shfrytëzojmë instrumentet tona. Këtë temë e ka nisur PDK-ja, javën e ardhshme e kemi iniciuar diskutimin për koeficientin e pagës prej 105 në 129. LDK-ja e ka ngritur çështjen e komisionit hetimor për të parë nëse ka hajni dhe prej kujt po ikin. Pra, po ikin prej të vërtetës. Ballafaqimi më të vërtetën e tregon saktë se ku është faji