Policia e Kosoves ka kryer sot kontrolle në shtatë lokacione në veri të vendit, gjinden armë, municion, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarake
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), dhe Policia e Kosovës (PK), njoftojnë opinionin publik se në vazhdën e angazhimit dhe realizimit të aktiviteteve policore për ruajtje të rendit kushtetues, ofrimit të sigurisë dhe parandalimit të aktiviteteve kriminale, Policia e Kosovës, respektivisht njësitet relevante, sot kanë zbatuar urdhër kontroll në pjesën veriore të vendit.
Prokuroria Speciale njofton se me urdhër të gjykatës, Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle në shtatë lokacione në pjesën veriore të vendit, që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023.
Po ashtu, ju njoftojmë se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.
Gjatë këtyre kontrolleve, në një podrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv etj.
Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës është në vend të ngjarjes.
Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara:
- 87 copë eksploziv të tipit TM 100
- 3 granata hedhës dore (zola)
- 1 armë automatike AK-47
- 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD
- 14 karikatorë
- Municion të kalibrave të ndryshëm
- 63 detonatorë elektrik
- 23 detonatorë mekanik
- 1 orë për aktivizim
- 1 granatë dore M79
- 3 tuba fitila ndezës
- Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, gyksore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri etj.