Rezervat e shtetit shqiptar janë bosh. Në magazinat shtetërore nuk ka asnjë gram grurë, asnjë litër ujë dhe asnjë litër karburant.
Vendi ynë është me fat që nuk ka konflikte të hapura si Kosova, Ukraina, Palestina apo vendet e ndryshme të botës që janë nën tension. Për afro 2.7 milionë shtetas që jetojnë në Shqipëri, në rast të një sulmi të mundshëm, depot e rezervave ushqimore nuk garantojnë nevojat e parashikuara me ligj.
Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndonëse sasia minimale rezervë e grurit duhej të ishte 300 tonë, karburantit 100 mijë litra dhe ujit 3 mijë litra, në magazina nuk kishte asnjë nga këto produkte.
Në mangësi është edhe sasia e sheqerit, orizit, makaronave dhe fasuleve të gjetura në magazina. Nga auditimi i kryer nga KLSH, rezulton të jetë sa gjysma e sasisë minimale të nevojshme për t’u pasur si rezervë.
Izolimi për tre muaj gjatë pandemisë apo bllokimi disa mujor i furnizimit me grurë nga Rusia dhe Ukrania, duket se nuk kanë mjaftuar që qeveria t’i thërrasë mendjes për të rritur rezervat ushqimore.
Sipas Kontrollit të Shtetit kjo gjendje e krijuar në rezervat e shtetit ka ardhur kryesisht si pasojë e mbivendosjes së kompetencave mes institucioneve që administrojnë Rezervat Shtetërore. Çështjet burokratike por edhe korrupsioni administrativ për të zhvatur sa më shumë nga taksat e shqiptarëve ka bërë që sot Shqipëria të jetë me magazina të zbrazura./TVA News