83 meshkuj janë në mesin e 1506 personave që tashmë kanë marrë statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Aplikimi për ta marrë këtë status është i lehtë. Gjatë viteve të fundit, vlerësohet se në Kosovë është krijuar një ambient më i mirë për këtë kategori, prandaj pritshmëritë janë që edhe numri i personave që pranojnë të regjistrohen për ta marrë këtë status, do të rritet.
Vasfije Krasniqi Goodman, në tetor të vitit 2018, u bë e mbijetuara e parë e dhunimit seksual të luftës, që e bëri publike historinë e saj.
Asokohe, rrëfimi i Krasniqi Goodman, riktheu vëmendjen e munguar për këtë temë.
Vetëm pak muaj para daljes së saj publike, Qeveria e Kosovës themeloi Komisionin për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.
Prej atëherë e deri më sot, 1946 persona aplikuan për ta përfituar këtë status, 1506 prej të cilëve tashmë u është konfirmuar statusi.
“Ky komision në bazë të legjislacionit që e ka në fuqi e ruan konfidencialitetin, të dhënat personale dhe gjithçka që është brenda këtij komisioni ne e shqyrtojmë me konfidencialitet të plotë dhe ju garantojmë për këtë gjë të gjitha viktimave të cilat ende hezitojnë që të mos jenë të pranishme dhe të mos ta përfitojnë këtë të drejtë që është e garantuar me ligj”, thotë Leonora Selmani – Kryetare e Komisionit.
Sipas disa hulumtimeve, në Kosovë vlerësohet të jenë rreth 20 mijë persona të dhunuar gjatë luftës së fundit.
“Nuk mund të themi se a janë të gjithë gjallë, a janë të gjithë prezent, pasi në mesin e tyre ka të vdekur, ka të zhdukur dhe ka nga ato dhe ata që asnjëherë ndoshta në jetën e tyre nuk do ta nxjerrin në sipërfaqe plagën e tyre”, thotë Feride Rushiti – QKRMT.
Feride Rushiti, që ka punuar gjatë me të mbijetuarat e torturës, thekson se shumë gjëra kanë ndryshuar për të mirë në lidhje me këtë kategori, përgjatë viteve të fundit në Kosovë.
“Mendoj që është një momentum i ri, kur në shoqërinë kosovare ne kemi arritë me reflektu që ky krim i luftës është pjesë e të gjitha krimeve të tjera, është pjesë edhe e diskursit politik. Dua të them që cdoherë është folur edhe në debate publike, në parlament. Kështu që është një kulturë tjetër dhe është krejt një vetëdijësim tjetër në raport me këtë krim të luftës. Mirëpo, Kosovës ju ka dashtë një kohë shumë e gjatë, pikë së pari që shteti të ndërmerr një iniciativë për t’i përkrahur”, shtoi ajo.
Për të përfituar statusin e të mbijetuarës, nuk është obligative që paraqitet ndonjë dokument para komisionit.
“Nuk është gjithsesi e obligueshme. Ne e kemi parasysh, për faktin se ka kaluar një periudhë e gjatë kohore dhe ato dokumente mund të jenë zhdukur, mund të mos i kenë fare, mund të mos kenë shkuar në kohën e duhur tek mjeku apo kështu me radhë, sepse rrethanat kanë qenë ndryshe. Prandaj, kjo nuk duhet të shërbej si dicka që viktimat të hezitojnë që të aplikojnë sepse nuk kanë dokumente”, thotë Leonora Selmani – Kryetare e Komisionit.
Në mesin e personave që tashmë kanë përfituar statusin e të mbijetuarit të dhunimit seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë edhe 83 meshkuj.
Qeveria e Kosovës tashmë ka zgjatur edhe për dy vite aplikimin.