Nga dita e sotme, studentët nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor, por edhe nga Europa e më gjerë mund të aplikojnë online për të studiuar në Kolegjin Europian të Bryzhit. Dega e tretë e tij hapet zyrtarisht në Tiranë, me vitin akademik që nis në Shtator të 2024-s.
Në një konferencë për mediat, bashkë me Presidenten e KE, Ursula von der Leyen dhe rektoren e këtij Kolegji, Federica Mogherini, Kryeministri Edi Rama tha se “ky Kolegj është më shumë sesa një universitet që vjen këtu nga jashtë e që bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi për një arsim të nivelit më të lartë, të klasit më të lartë për të rinjtë tanë”.
Në fjalimin e rastit në ceremoninë inauguruese për fillimin e punës së këtij kolegji, Kryeministri Shqiptar Edi Rama foli fjalë miradie për bashkimin Europian ku tha: “Gjithnjë mendoj sa të bekuar jemi që jetojmë në këtë vend, e sa të bekuar jemi që rrethohemi nga BE”. “BE është më i miri që e bën këtë, askush nuk mund ta shoqërojë një vend që të dalë nga e shkuara e vet e të sigurojë një shtet demokratik e funksional për qytetarët e vet siç bën BE”.
Ndërsa sa i përket Kolegjit Europian të Bryzhit të cilen e drejton Federica Mogherini ai tha: “Besoj se ky Kolegj është më shumë sesa një universitet që vjen këtu nga jashtë e që bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi për një arsim të nivelit më të lartë, të klasit më të lartë për të rinjtë tanë”.
Të premten, më 6 tetor, Rektorja Federica MOGHERINI kishte nënshkruar në Tiranë një Memorandum Mirëkuptimi me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion VELIAJ dhe ministren shqiptare të Arsimit, Ogerta MANASTIRLIU, duke shënuar ngritjen e kampusit të Kolegjit të Evropës në qytet.