Polakët votojnë në zgjedhjet “më të rëndësishme” prej komunizmit

by Nexhat

Në Poloni janë duke u mbajtur zgjedhjet parlamentare, të cilat do të jenë vendimtare për lidhjet e ardhshme të këtij shteti me Bashkimin Evropian dhe Ukrainën fqinje.

Popullistët, që aktualisht janë në pushtet, janë në kërkim të një mandati të tretë.

banner

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se partia nacionaliste Ligji dhe Drejtësia (PiS) do të marrë më së shumti vota, por do ta ketë të vështirë arritjen e një koalicioni qeverisës, çka potencialisht mund t’i rrisë shanset për opozitën e udhëhequr nga ish-shefi i BE-së, Donald Tusk.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të jenë të hapura deri në orën 19:00.

Rreth 29 milionë banorë kanë të drejtë vote në këtë vend anëtar të NATO-s dhe BE-së.

Një fitore eventuale e partisë PiS do të mund t’i rrisë tensionet me BE-në dhe Ukrainën dhe do t’i rrisë shqetësimet për lirinë e mediave dhe të drejtat grave dhe migrantëve.

“Ne jemi në BE, ne duam të qëndrojmë aty, mirëpo në një BE me shtete sovrane”, ka thënë lideri i partisë PiS, Jaroslaw Kaczynski, në një tubim zgjedhor të premten.

Tusk, në anën tjetër, u ka thënë mbështetësve në tubimin e fundit se PiS ka “plane sekrete” për t’u larguar nga BE-ja, dhe se kjo parti, sipas tij, “është duke e çuar vendin në drejtim të gabuar”.

“Kjo është dita më e rëndësishme në historinë e demokracisë sonë, prej vitit 1989”, ka thënë Tusk.

“Ne do të votojmë që Polonia të jetë në Bashkimin Evropian. Polonia është në zemër të Evropës”, ka shtuar ai.

PiS është zotuar se do t’i çojë përpara reformat kontroverse në gjyqësor, të cilat beson se synojnë çrrënjosjen e korrupsionit, mirëpo të cilat në BE shihen si dëmtuese të demokracisë.

Këto përplasje kanë rezultuar me fonde të ngrira të BE-së për Poloninë, në vlerë të miliarda eurove.

Fushata është karakterizuar me sulme personale ndaj Tuskut nga partia në pushtet, e cila e ka akuzuar atë se po punon në interes të Gjermanisë, Rusisë dhe BE-së.

PiS e ka ashpërsuar retorikën edhe kundër migtantëve, pasi kryeministri i deritashëm Mateusz Morawiecki, ka thënë se shteti duhet të mbrohet kundër migrantëve ilegalë “që nuk kanë respekt për kulturën tonë”.

Shumë votues janë shprehur të zemëruar nga ndasitë dhe tonet e ashpra që e kanë përcjell këtë fushatë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy