Gjykata Komerciale ka vendosur kundër propozimit të dy bizneseve për shtyrjen e vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për shfuqizimin e certifikatave të afarizmit.
Vendimet në rastet e Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C., certifikatat e të cilave u shfuqizuan me vendim të MINT-it, i ka shqyrtuar gjyqtarja e Gjykatës Komerciale, Vlora Pacolli-Rexhepi, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Motra e deputetes Pacolli, në dy aktvendimet e nxjerra, është rreshtuar në linjë me vendimet e ministres Rozeta Hajdari. Ka vendosur kundër propozimit të dy bizneseve Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C. për vendosje të masës së sigurisë.
Në muajin gusht të këtij viti, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua kishte shfuqizuar licencat rreth 50 bizneseve për shkak se “gjatë regjistrimit të tyre kanë dorëzuar dokumente me përmbajtje në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ligjet në fuqi”.
Sipas vendimit të Gjykatës Komerciale, ekzekutimi i këtyre vendimeve nuk do të shtyhet derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor—-
Në arsyetimin e vendimit të Dhomës së Parë të Gjykatës Komerciale, gjyqtarja Pacolli-Rexhepi vlerësoi propozimi i paditësve do t’i shkaktonte “dëm të pariparueshëm të paditurës”, që në këtë rast është Ministria e Tregtisë, e udhëhequr nga Rozeta Hajdari.
“Gjykata vlerësoi pretendimin e përfaqësuesit të paditësit se shtyrja e vendimit të kontestuar nuk do t’i sillte ndonjë dëm palës kundërshtare ngase çështja kontestuese ndërmjet palëve nuk ka të bëjë me vlera monetare, e vlerëson si të pabazuar dhe rikujton se dëmi nuk ka të bëjë vetëm me vlera monetare por ka të bëjë edhe me dëmin e autoritetit dhe reputacionit që do ta pësonte e paditura si pasojë e shtyrjes së vendimit të kontestuar”, thuhet në vendimin e gjyqtares Vlora Pacolli-Rexhepi, të nxjerrë më 19 shtator të këtij viti.
“Të paditurës do t’i shkaktohej dëm i pariparueshëm në zbatimin e politikave në funksion të zbatimit të autoritetit ligjor e kushtetues në interes publike, do t’i dëmtohej imazhin shtetëror sepse shtyrja në fakt do ta detyronte të paditurën t’i shmanget vlerësimit të përfaqësimit territorial dhe të pranoj dokumente në përmbajtjen e të cilave komunat që janë pjesë territoriale të shtetit prezantohen si pjesë të një shteti tjetër”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.
Sipas vendimit të Gjykatës Komerciale, biznesi Business Club L.L.C. është regjistruar nga pronari Blerim Devolli, me pasaportë të Republikës së Malit të Zi, në të cilën emri i vendlindjes shkruhej ‘Pec’, e jo ‘Pejë’.
Në katër vendime të tjera – pothuajse identike – për rastet e bizneseve të cilave iu shfuqizua licenca, përfshirë edhe rastin e televizionit Klan Kosova, Gjykata Komerciale vendosi në favor të bizneseve.
Për dallim nga dy rastet e Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C., në rastet e Klan Kosovës dhe tri të tjerave, gjyqtari që shqyrtoi lëndën nuk ishte i afërm me asnjë funksionarë të partisë në pushtet.
Gjyqtari Arnis Dumani, i cili vendosi kundër mbylljes së Klan Kosovës, në vendimin e tij kishte vlerësuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit në favor të Klan Kosovës, nuk do t’i shkaktonte dëm Ministrisë së Tregtisë.
Vendimi në favor të Klan Kosovës ishte vërtetuar edhe nga Dhomat e Shkallës së Dytë në Gjykatën Komerciale.
Në një vendim të nxjerrë më 18 shtator, Dhomat e Shkallës së Dytë e kanë gjetur si të pabazuar ankesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj ‘Klan Kosova’ dhe kanë vërtetuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Ankesa e të paditurës MINT ishte parashtruar kundër vendimit të parë të gjykatës së shkallës së parë për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.
Ky vendim ishte marrë nga kolegji i gjyqtarëve, Ramush Bardiqi kryetar, Krenar Berisha dhe Dren Rogova anëtarë të kolegjit.
Edhe rasti i Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C., pritet së shpejti të shqyrtohet nga Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale