Ish-presidenti i Finlandëz, Martti Ahtisaari, të cilin OKB-ja e kishte dërguar për t’u marrë me çështjen e Kosovës, vdiq sot në moshën 86 vjeçare. Njeriu mbi bazën e planit të së cilit Kosova u shpall shtet më 17 shkurt të vitit 2008 dhe u hartua Kushtetuta, e kishte fituar po atë vit Çmimin Nobel për Paqe.
Në një intervistë për CNN, Ahtisaari tregonte për negociatat për statusin e Kosovës, me të cilat ishte marrë posaçërisht. Duke marrë një shembull, ai donte t’i përgjigjej përshtypjes së gabuar të njerëzve që, siç thoshte ai, mendojnë se “ne thjesht ulemi aty”.
“Situata shumë shpesh në negociata është se… ta marrim një shembull: Serbia është si një hajdut që e ka vjedhur kuletën nga Kosova dhe nëse unë jam ndërmjetësi, unë nuk i këshilloj ata se a mund të vendosë në të vërtetë hajni serb se sa para dëshiron t’ia japë shokut që është i vjedhur. Ai duhet të ta japë krejt kuletën ty dhe atëherë të shkojë në burg për atë që e ka bërë”, shprehej Ahtisaari. Pra, shtonte ai, “ju duhet ta bëni atë që është e drejtë”.
Pavarësia e Kosovës, shpjegonte Ahtisaari, ishte e vetmja zgjidhje e mbetur. “Beogradi, Prishtina, serbët e Kosovës e dinin që nga tremujori i parë i vitit 2006”.
Ahtisaari tregonte se si tetë zyrtarë perëndimorë i kishin njoftuar palët për këtë, duke lexuar një prej mesazheve private.
“Heqja antikushtetuese e autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe ngjarjet tragjike që pasuan që rezultuan në administrimin ndërkombëtar të Kosovës kanë çuar në një situatë ku kthimi i Kosovës nën sundimin e Beogradit nuk është një opsion i zbatueshëm”, lexonte Ahtisaari.
“Të gjithë e dinin se do të vinte pavarësia, por kryeministri Kushtunica dhe të tijët u sollën sikur të mos e kishin dëgjuar atë që u tha”, tregonte ish-presidenti Finlandez.
Gazetari, duke u munduar ta sfidonte, ia përmendte versionin serb për Kosovën. I thoshte se ka dy anë të historisë së kësaj çështjeje.
“Jo, është.. nuk janë dy anë. Historia ka vetëm një anë, sepse në vitin 2005, Asambleja e Përgjithshme pranoi përgjegjësinë kryesore për të mbrojtur nëse një udhëheqje diktatoriale në cilindo vend sillet ashtu siç silleshin Millosheviqi dhe të tijët ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ata e humbën të drejtën për t’i kontrolluar dhe kaq”, ia kthente Ahtisaari.