Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 tetor 2023 ka marrë vendim, përmes të cilit të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës, Ilir Abdullahu, masën e paraburgimit ia zëvendësoi me atë të dorëzanisë, në vlerë prej 100 mijë euro.
Ilir Abdullahu dyshohet për veprën penale të “Vrasjes së rëndë” të policit Triumf Riza në bashkëkryerje me Enver Sekiraqë, Arben Berishën, Fitim Avdiun, Rrahim Abdullahun, raprton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të Gjykatës, fillimisht Prokuroria Speciale më 14 gusht 2023 ka parashtruar kërkesë në Themelore për vazhdimin e paraburgimit ndaj Abdullahut, pasi që ende sipas Prokurorisë paraburgimi është e vetmja masë për sigurimin e Abudllahut në proces gjyqësorë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në gjykatë ka ushtuar kërkesë PPS.nr.467/2009 të dt. 14.08.2023, për vazhdimin e paraburgimit kundër të pandehurit Iliri Abdullahu, i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 147 par.1. nën par.3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, duke potencuar se ende nuk kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar kjo masë dhe kjo masë është e vetme me të cilën do të sigurohet prania e të pandehurit në procedurë, andaj i kanë kërkuar gjykatës që ndaj të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj”, thuhet në vendimin e gjykatës
Mirëpo, mbrojtësi i Abdullahut, avokati Dreshaj më 3 tetor 2023 ka parashtruar kërkesë për zëvendësimin e paraburgimit me atë të dorëzanisë për Abdullahun, fillimisht në shumën prej 50 mijë eurosh.
Kurse, më 11 tetor 2023 avokati Dreshaj shumën e dorëzanisë e ka ndryshuar, duke e rritur dhe e specifikuar në 100 mijë euro.
Por, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kundërshtuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë, pasi që sipas PSRK-së nuk janë plotësuar kushtet ligjore për zëvendësim e paraburgimit ndaj Abdullahut.
“…ku prokurori i rastit me parashtresën e datës 05.10.2023 i ka kërkuar gjykatës që ta refuzoj kërkesën e paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit sepse nuk plotësohen kushtet për një masë të tillë dhe ka kërkuar që të mbetet në fuqi masa e paraburgimit”, thuhet në vendim.
Gjykata gjeti se meqenëse masa e paraburgimit ka qenë e vetmja masë për shkak të rrezikut të ikjes dhe se Abdullahu për këtë ka ofruar shumën prej 100 mijë eurosh si dorëzani, është vlerësuar si masë e mjaftueshme për sigurimin e të njëjtit në procedurë gjyqësore.
Gjykata po ashtu ka marrë për bazë edhe faktin se Abdullahu ka premtuar se nuk do të largohet nga vendbanimi ose vendqëndrimi dhe se do t’i përgjigjet kërkesave të prokurorisë dhe gjykatës.
Në vendim, thuhet se në rast se Abdullahu paraburgoset, dorëzania i hiqet dhe se nëse i njëjti nuk paraqitet e mungesën nuk e arsyeton, nëse përgatitet të ikë ose kur gjatë kohë në liri paraqiten arsye tjera ligjore për paraburgim, masa e dorëzanisë i hiqet dhe shuma derdhet në buxhet.
Ndërkaq prokurori special i ngarkuar me këtë rast Shpëtim Peci, shkurtimisht për “Betimi për Drejtësi” tha se pas analizimit të vendimit mbi lirimin nga masa e paraburgimit, do të ndërmarrë edhe veprimet adekuate ligjore.
“Pas analizimit të vendimit do të ndërmarrin veprimet e duhura ligjore”, tha prokurori Peci.
I njëjti tha se edhe në përgjigjen e dhënë ndaj gjykatës lidhur me mendimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë ndaj Abdullahut, e ka kundërshtuar në tërësi si prokuror.
Kurse, në lidhje me rastin, avokati Dreshaj ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se Abdullahu po dyshohet nga PSRK-ja vetëm me një provë te vetme dhe atë të një mesazhi telefonik midis Abdullahut dhe të pandehurit tjetër Fitim Avdiu.
“Ky (Ilir Abdullahu) dyshohet gjëja se paska komuniku ditën kritke, dikush i ka çu këtij mesazh jo kerri i kojshisë, jo kerri i atina, këto janë do prova që as në mendje nuk duhet me i shku një profesionisit, një penalisti, mendja s’duhet me i shku m’u marrë me këto prova për me akuzu një person a fije mbështet se një në dyshim për vrasje të rëndë sepse u privu një djal i ri, një polic”, tha avokati Dreshaj.
Tutje, avokati Dreshaj tha se të gjitha pretendimet e PSRK-së janë që e njëjta para opinionit publik të dalë dhe të thotë kinse bëra një punë të madhe dhe se zbulova diçka,
“Kishe po punojmë, definitive thanja jem është kishe Prokuroria po punon e paska zbulu se Enver Sekiraqa e ka pas zanin e madh…”, tha avokati Dreshaj.
Avokati Dreshaj lidhur me pretendime e PSRK-së tha se është munduar të bëjë një grup dhe se të njëjtës sipas tij i ka dalë gabim.
“…kur të mundohesh me ba yrrnekin dallash, yrrneki del dallash finalja, edhe Prokuroria u mundu, u mundu me i sjellë, me i shti në grup…”, tha avokati Dreshaj.
Po ashtu, Dreshaj tha se në ditën kritike, Abdullahu sipas tij ka qenë duke marrë pjesë në të pame të motrës së tij, e cila kishte vdekur vetëm pak ditë më përpara.
“Ky ( Ilir Abdullahu) ka pas një rast vdekje, i ka vdek motra në moshë të re ka qenë nëpër të pame”, tha avokati Dreshaj.
Gjithashtu, avokati Dreshaj tha se për familjen e policit të vrarë Triumf Rizës ndjen keqardhje dhe se i vie keq ajo se çka ka ndodhur, por se personi përgjegjës për vrasjen sipas avokatit gjendet në grila dhe se me kohë i ishte dorëzuar organeve të drejtësisë (Arben Berisha).
“I shprehi ngushëllime familjarëve… Ai që e ka privu nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza zyrtarin policor, ai është prapa grilave ka dënimin me aktgjykim të plotfuqishëm, askush sot në Kosovë, jo në Kosovë po kërkun në botë nuk merr guximin me shku 30 vjet a 40 vjet a në burg të përjetshëm tash që e kemi për shembull, askush nuk shkon në burg për dikan tjetër”, shtoi ai.
Gjithnjë sipas avokatit Dreshaj, policia me gabimet e saja e ka filluar procesin gabimisht të vrasjes së policit Triumf Riza.
“Krejt vorbulla që ka fillu ka fillu me gabimet dhe me punët e policisë…Krejt janë kanë të involvun policia dhe jo Enver Sekiraqa as ky, as tjerë se është Fitimi, është Rrahimi, ky është gabim trashanik i Prokurorisë, ka dashtë me zgjenu në emër të Sekiraqës thu ti Sekiraqa te ko kanë bosi ma i madhi në Kosovë”, tha avokati Dreshaj.
Lidhur me marrëdhëniet e Abdullahut me Sekiraqën, avokati Dreshaj tha se mes vete janë nip e dajë dhe se kanë një dallim të madh në moshë mes vete dhe se gjatë gjith procesit së bashku me Abdullahun do të tregojnë vetëm të vërtetën.
“Kosova është e vogël, ata janë nip e daj une nuk fshehna pas perdeve as un as ai kur e kam marrë si avokat i kam thanë dojm me tregu vetëm të vërtetën…. Dallojnë shumë në moshë”, tha avokati Dreshaj.
Ndryshe, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 korrik ia kishte caktuar Avdullahut masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Kurse, në gusht ia kishte vazhduar masën edhe për dy muaj.
Ndryshe, Policia më 16 korrik njoftoi se është arrestuar Ilir Avdullahu, i cili ishte në kërkim policor për vite me radhë.
“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën ‘Liza’. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vijon procesi gjyqësor ndaj Sekiraqës
