Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në konferencë për media nga Tirana teksa ka folur për procesin e dialogut dhe situatën e sigurisë, ka thënë se pret që presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe krerët e Kosovës, Kurti dhe Osmani, të jenë të përgjegjshëm në raport me situatën e krijuar.
Presidenti Macron ka thënë se Franca kishte shfaqur besimin e saj sa i përket liberalizimit të vizave, megjithatë thotë se çështja e vizave është pezulluar nga ana e Francës meqë fjala e dhënë nuk po mbahet, shkruan Lapsi.al.
Macron ka thënë se pret angazhim nga Kosova dhe Seriba në mënyrë që të ecet përpara, meqë është kusht i paqes për të gjithë rajonin.
“Pres që presidenti Vuçiq të jetë i përgjegjshëm, pres të njëjtën edhe për kryeministrin dhe presidenten kosovare. E them me shumë qartësi ne ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës, sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që te ecim përpara. Është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë Macron.