Në rigjykimin ndaj të akuzuarit Binak Panxha, për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Berisha në Kosuriq të Pejës, mbrojtja kërkon që deklaratat e dëshmitarëve të marra në procedurë paraprake të shpallën të papranuara si dhe disa nga provat tjera të listuara në administrimin e tyre.
Këto propozime i bëri mbrojtësi i të akuzuarit Binak Panxha, avokati Besnik Berisha, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, pas administrimit të provave materiale, prokurori i shtetit Agron Galani, nuk kishte vërejtje sa i përket provave të administruara, mirëpo vërejtje kishte mbrojtësja e viktimave Zymreta Bashiq, në deklaratat e dëshmitarëve Valon, Xhavit, Isuf, Bekim, dhe Lavdije Panxha, si dhe dëshmitarët Zeqir Kelmendi dhe Jetlir Gashi.
Vërejtje sa i përket provave të administruara kishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Panxha, avokati Besnik Berisha, ku tha se deklaratat e Xhavit dhe Valon Panxha, të dhëna në procedurë paraprake, të mos pranohen si prova ngase sipas tij, ku pasi këta të dy ishin marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit.
Propozimi i tij është që këto prova të shpallën si prova të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës, e po ashtu edhe deklaratat e dhëna nga çdo dëshmitarë në procedurë paraprake tha se nuk janë prova që duhen të administrohen në shqyrtim për shkak se kjo është e ndaluar me nenin 119 par.2 të KPPRK-së.
Tutje, avokati Berisha, kërkoi që si prova nga lista e administrimit të veçohen edhe secili raport njoftues të zyrtarëve policor, plotësimit të kallximit penal, duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, ku sipas tij nuk e kanë cilësinë e provës materiale, e gjithashtu edhe për raportet lidhur me ekzaminimin e kamerave të sigurisë, ku tha se video-incizimi është provë, por jo dhe raporti njoftues i policit për prokurorin.
“Një çështje tejet me rëndësi për të cilën tani më Gjykata Kushtetuese i ka vënë kapakun, janë SMS-të, e marra retroaktivisht, hartografia dhe çdo të dhënë tjetër lidhur me telefonin mobile ose me telefonin e Binak Panxhes, dhe kjo tashmë është konfirmuar me aktgjykimin KI/113/2021, me të cilin gjykata ka konstatuar se në çështjen e parashtruesit të kërkesës kishte shkelje kushtetuese të të drejtës për privatësi dhe fshehtësi të korrespodencës”, tha avokati Berisha.
Ai tutje potencoi se ky vendim tashmë ka zbatim në të gjykatat në Kosovë, dhe poashtu është në frymën e qarkores së Gjykatës Supreme me të cilën masat e fshehta teknike ishte konstatuar se mund të aplikohen vetëm atëherë kur provat nuk mund të sigurohen, përndryshe sipas tij provat janë të pa pranueshme.
Prokurori Galani, lidhur me propozimin e mbrojtësit deklaroi se sa i përket deklaratave të Valon Panxha dhe Xhavit Panxha të dhënë në cilësi të pandehurve në prokurori, të njëjtat është e vërtetë se duhen të veçohen nga shkresat e lëndës dhe janë përmend në arsyetimin e aktakuzës vetëm si deklarata të dhëna në cilësinë të pandehurve.
Ai shtoi se nëse shikohet me propozimin e akuzës të njëjtit janë propozuar të dëgjohen si dëshmitarë si dhe gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor tha se janë proceduar si dëshmitarë dhe nuk janë marrë për bazë deklaratat e dhëna në cilësinë e të pandehurit.
Ndërsa sa i përket propozimit të mbrojtjes që të shpallën të pavlefshme dhe joligjore masat e fshehta si dhe duke u thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2021, prokurori Galani tha se këto prova gjatë procedurës hetimore janë marrë në mënyrë ligjore bazuar në dispozitat e KPPRK-së, dhe kështu me shkresën e datën 06.08.2016, ishte njoftuar gjyqtari i procedurës paraprake duke ja dorëzuar nga një ekzemplar të kërkesave për sigurimin e incizimit të kamerave nga 5-6 vende, si dhe kërkesën drejtuar kompanive telefonike për sigurimin e komunikimeve telefonike nga telefonat e të pandehurve.
Më pas prokurori propozoi që të refuzohet propozimi i mbrojtësit së të akuzuarit Panxha, avokatit Besnik Berisha.
Më pas kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu, lidhur me propozimet e mbrojtësit Berisha, tha se pas disa propozimeve trupit gjykues i duhet kohë që të njëjtat t’i analizoj para se të marr vendim lidhur me to, duke shtuar se në shqyrtimin e sotëm nuk mund të vendoset lidhur me këto propozime.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 20 nëntor 2023.
Ndryshe, më 16 shkurt 2021, Panxha ishte gjykuar me 23 vite burgim efektiv. Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu, në dënimin e të akuzuarit llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.
Por, më 9 shtator 2021, Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës, ku kjo e fundit, me 23 vite burgim efektiv e kishte gjykuar të akuzuarin Binak Panxha për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Ramiz e Arsim Berisha në pyllin e familjes Panxha.
Gjykata e Apelit e mori këtë vendim pasi ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit të angazhuar në shkallën e dytë, avokatit Besnik Berisha, por edhe sipas detyrës zyrtare ka gjetur se vendimi gjyqësor ishte i përfshirë në shkelje procedurale.
Aktakuza e ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon Binak Panxhën se më 21 korrik 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.
Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të akuzuarit.
Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drunj në pyllin e të akuzuarit.
“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre së bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirrë tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.
Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.
Me çka, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’ Vrasje e rëndë”, nga nenit 179, par.1, lidhur me pikën 1.11 të Kodit Penal, për të cilin parashihet dënmi me burgim jo më pak se 10 vite burgim ose dënim me burgim të përjetshëm