Më 31tetor pritet fillimi i gjykimit ndaj tri infermiereve të cilat e kishin sulmuar një grua të moshuar para rreth një viti në Qendrën “Orenda” në Pejë. Aktakuza është ngritur para disa muajsh, ku janë zbardhur detaje për krejt ngjarjen. Nacionale e ka siguruar aktakuzën dhe sjell detaje disa ditë para nisjes së gjykimit.

Pamjet e publikuara në nëntorin e vitit të kaluar ku shiheshin disa infermiere duke goditur një të moshuar, kishin tronditur gjithë Kosovën. E moshuara me inicialet M.B ishte maltretuar nga tri infermiere në qendrën “Orenda” të Pejës, e cila më pas u mbyll me vendim nga institucionet shëndetësore.
Në majin e këtij viti Prokuroria Themelore e Pejës ngriti aktakuzë për veprën penale “Sulm” ndaj tri infermiereve: Aurona Pelaj, Remzie Kuqi dhe Altina Rexhepi. Procesi gjyqësor ndaj tri të akuzuarave do të fillojë me datën 31 tetor.
Nacionale e ka siguruar aktakuzën për këtë rast, e ku zbardhen dëshmitë e tri infermiereve, vajzës së të moshuarës që u sulmua në qendër, pronarit të “Orendës”, por edhe raporte të ndryshme mjekësore.
Qysh në fillim të aktakuzës, Prokuroria tregon në detaje veprimet e tri infermiereve të cilat janë parë edhe në video-inçizimet e publikuara vitin e kaluar.
“Të njëjtat me datën 29.10.2022 rreth orës 17:00 pasi ofronin kujdesin shëndetësor si infermiere të punësuara në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, ku rezidente ishte viktima M.B, në momentin kritik fillimisht e pandehura Aurona, merret vesh me të pandehurat Altina dhe Remzije, që të shkojnë dhe vejnë nën kontroll viktimën duke e planifikuar përdorimin e forcës edhe pse e kanë ditur se viktima është e ndjeshme për shkak të moshës së shtyrë dhe sëmundjes alzhaimer-harresës, ndërsa me kërkesë të të pandehurës Aurona, e pandehura Remzije të gjirojë me telefon veprimet e përdorimit të forcës ku ashtu edhe vepron, ashtu që e pandehura Altina kap për dorën e majtë viktimën duke e mbajtur, ndërsa pasi e njëjta e lëshon, e pandehura Aurona, vazhdon me përdorimin e forcës ndaj viktimës, duke e kapur në të dyja duart në pjesët e parakrahut, duke e goditur disa herë me shuplaka në fytyrë si dhe duke e goditur tri herë me gjunjë në pjesën abdominale”, thuhet në aktakuzën që e ka siguruar Nacionale.
Bazuar në këto veprime, Prokuroria i akuzon tri të dyshuarat për veprën penale “Sulm”.

Mirëpo, çfarë deklaruan në Prokurori tri infermieret?
Aurona Pelaj ishte emri më i diskutuar në nëntorin e vitit të kaluar. Ajo ishte infermierja që në pamje shihej duke e goditur të moshuarën pa ndalur. Megjithatë, në deklarimin e saj para institucioneve të drejtësisë, Pelaj theksonte se “është mbrojtur nga veprimet e të moshuarës”.
“Sa i përket rastit për të cilin jam këtu deklaroj se unë kur kam filluar punën, M.N ka qenë vetëm banore dhe mjeku ka konstatuar se nuk kishte nevojë për të qëndruar aty sepse kishte çrregullime mendore, dhe ditën kritike kur ka ndodhur rasti ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohë përjetonte kriza nervore, dhe për këtë e kemi njoftuar drejtorin. Kam dëgjuar një zhurmë tek banjo dhe kam shku që të shikoj ku kolegët e mia kishin pasur telashe gjatë pastrimit të M.N dhe unë deshta të iu ndihmoj. M.N më sulmoi dhe më shkaktoi lëndime në dorë, ma ka shqyer doreën dhe më ka sulmuar me shqelm e para, unë nuk ka përdorur dhunë as forcë të madhe përveç se me ndalu sulmin e M.N ndaj meje. Jam e vetëdijshme që veprimi im ka qenë më i tepruar dhe nën afekt por ajo e para më ka sulmuar, dhe veprimet e mia kanë qenë paralajmëruese e jo me forcë të madhe. Kjo ka qenë hera e parë që unë kam vepruar në këtë mënyrë”, thuhet në dëshminë e të akuzuarës Aurona Pelaj që është pjesë e aktakuzës.

Pelaj pretendon se videoja e publikuar nuk e tregon gjithë ngjarjen, dhe se ajo ka pasur trajtim të mirë ndaj viktimës në të kaluarën.
E akuzuar tjetër në këtë rast është Altina Rexhepi. Në deklaratën e saj të dhënë me datë 2 nëntor 2022, ajo pretendon se viktima kishte shfaqur shenja agresiviteti, por që thotë se edhe ajo ka dashur ta ndalojë dhunën e kolegeve të saj ndaj viktimës.
“Paprimtas M.N ka shfaqur agresivitet, pastaj ka ndërhyrë Aurona e cila e ka godit disa herë me shuplaka, unë kam tentuar të iu tërheqi vërejtjen që ta ndërprenë maltretimin e M.N, por ato nuk më dëgjuan, atëherë unë i kam lënë në banjo bashkë me M.N dhe unë kam vazhduar punën. Në pyetjen që i është bërë se në video shihet që ia kap dorën M.N duke e ndihmuar kolegen ta maltretoj të moshuarën, dhe shihet duke qeshur me atë lloj torture, e njëjta deklaron se nuk ka çfarë të deklarojë për këtë moment. Unë ndihem shumë ket që ka ndodhu, ndihem e penduar sepse nuk e kam raportuar si rast dhe nuk kam qenë në njohuri që mos-lajmërimi është vepër penale”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Kurse, e akuzuara tjetër Remize Kuqi. Ajo kryesisht ka folur për shpërndarjen e incizimit, duke theksuar se incizimin e ka bërë ajo me qëllim që t’ia tregojë pronarit të qendrës, por që më pas pretendon se në media e ka shpërndarë vetë e akuzuara Aurona Pelaj.
“Unë e kam bërë incizimin me qëllim që të ia dorëzoj punëdhënësit tim Anton Rasaj. Plani im ka qenë që në momentin kur të vie punëdhënësi nga Zvicra, incizimin të ia dorëzoj atij dhe atë incizim e kam realizuar me insistimin e Aurona Pelaj, por nuk kam pasur qëllim që t në atë incizim të abuzoj apo të përfitoj, por ta dorëzoj në Polici e Prokurori. Telefonim tim e kam lënë pa mbikëqyrje në vendin e punës dhe besoj që këtë e ka marrë Aurona Pelaj, dhe e njëjta e ka postuar atë incizim dhe ky veprim i saj është bërë pa dijeninë time dhe pa lejen time.”, thuhet në aktakuzë, raporton Nacionale.

Nga Prokuroria janë intervistuar edhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët viktimën e kanë vlerësuar se nuk ka pasur sjellje agresive, por që edhe në qendër nuk është raportuar asnjëherë ndonjë rast i ngjashëm i dhunës.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe ekspertiza nga mjekë e ekspertë, disa prej të cilëve kanë konstatuar se viktima ka dëmtime të rënda të procesve të njohjes. Aktakuza ka përmendur edhe akuzat nga familja e viktimës se e moshuara ishte përvëluar në këmbë gjatë qëndrimit në qendër, megjithatë, Prokuroria ka vlerësuar se nuk ka pasur prova për këtë akuzë dhe nuk janë siguruar prova që vërtetojnë këtë pretendim.
Vajza e viktimës ka thënë se në të kaluarën stafi ka pasur sjellje të mira. Ajo thotë se nëna e saj kishte humbur në peshë në 5-6 muajt e parë të qëndrimit. Ajo kishte treguar edhe dyshimet e saj për përvëlimin e nënës së saj në këmbë.
“Pas deklaratës e kam larë nënë dhe pasi e lava nënën për një moment në këmbën e majtë aty ku e kishte lëkurën e pezmatuar u krijuan disa puçërra të mbushura me ujë, dhe kur ia hoqa çorapen dhe fashën nënës, atë natë kam vërejtur se ka pasur skuqje dhe menjëherë e kam dërguar te mjeku, i cila ka konstatuar se këmba është e djegur”, thuhet në aktakuzë.
Një deklaratë tejet e rëndësishme e dhënë në Prokurori është edhe ajo e pronarit të Qendrës”Orenda”, Anton Rasaj. Ai pretendon se krejt ky incizim dhe dhuna e ushtruar ndaj të moshuarës, ka qenë me qëllimin e vetëm nga dikush që t’ia dëmtojë biznesin e tij.
“Dua të shtoj se vendimi për marrjen e licensës nga ministria është çështje politike dhe se video incizimi i bërë nga këto infermiere dyshoj se është bërë me tendencë për dëmtim të imazhit të institucionit të cilim e kam drejtuar. Dua të shtoj se çdo ditë kam telefonata nga familjarët e banorëve që janë të interesuar që ky institucion të hapet”, thuhet më tutje në aktakuzë.
Pas publikimit të incizimit, Qendra ishte mbyllur. Gati një vit pas rastit, pritet të fillojë edhe shqyrtimi gjyqësor për këtë rast që do të fillojë me 31 tetor në Gjykatën Themelore të Pejës.
