“Serbia dhe udhëheqësit e saj të mbahen përgjegjës”, komuniteti shqiptaro-amerikan proteston nesër para selisë së OKB-së

by Nexhat

Komuniteti shqiptaro-amerikan nesër më 23 tetor, do të protestojë para selisë së OKB-së në New York, kundër terrorizimit dhe veprimeve luftënxitëse të Serbisë.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga komuniteti shqiptaro-amerikan.

“Të Hënën, më 23 Tetor 2023, komuniteti Shqiptaro-Amerikan do të protestojë para Selisë së OKB-së në Sheshin Dag Hammarskjöld në New York për t’i dënuar aktet e vazhdueshme të terrorizmit dhe luftënxitëse të Serbisë. Shqiptaro-Amerikanët i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar që të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për ta detyruar Serbinë që t’i ndalojë dhe të përmbahet nga veprimet dhe politikat që janë duke e minuar stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se së fundmi më 29 maj, Serbia orkestroi protestat e dhunshme në veriun e Kosovës që rezultuan me sulme të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.

“Më 24 Shtator 2023 terroristët dhe njësitë para-ushtarake nga Serbia ndërmorën një sulm terrorist në Kosovë. Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon që Serbia dhe udhëheqësit e saj të mbahen përgjegjës, si dhe të gjithë të përfshirët në aktet e agresionit dhe terrorizmit të sillen para drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.

Komuniteti shqiptaro-amerikan thekson se “rajoni i Ballkanit është një fuqi baruti”.

“Nëse nuk ndërhyhet, mund të ndizet një luftë e re në zemër të Evropës e që do të jetë një luftë shtesë me të cilën do të duhet të ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar”, është thënë në njoftim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy