Ne Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit në Shqipëri (SPAK) është mbajtur seanca ndaj Jamarbër Malltezit, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit ka deklaruar se nuk do të paraqitet në gjykatë.
Malltezi, i cili u arrestua të shtunën në mbrëmje, në seancën e parë ishte paraparë që të njihej me akuzën ndaj tij dhe masën e sigurisë “arrest me burg” që është vendosur ndaj tij. Por, seanca u ndërpre me kërkesë të avokatëve të tij që kërkuan kohë që të njihen me lëndën.
Ai akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash” dhe po hetohet në lidhje me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Për këtë çështje dyshohet për korrupsion pasiv dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha
SPAK-u njoftoi se ia ka caktuar Berishës masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk ishte pjesë e procesit të hënën në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por u përfaqësua nga avokati tij, Genc Gjokutaj.
Kjo për faktin se Berisha nuk ka pranuar të takojë oficerët e policisë gjyqësore dhe as të firmosë se është informuar se ndaj tij është caktuar një masë sigurie.
Sipas Gjokutajt, ka një ngërç procedural, pasi ai pretendon se masa e sigurisë për ish-kryeministrin Berisha duhej vendosur pasi të kërkohej leje nga Kuvendi, pasi kufizon lirinë e një deputetit.
“Zoti Berisha nuk ka seancë gjyqësore, pasi vendimi nuk është ekzekutuar, pasi ai është vendim i paligjshëm dhe si i tillë nuk mund të pranohet nga zoti Berisha. Ky është një proces i parregullt ligjor dhe në momentin kur Berisha nuk ka marrë dijeni dhe nuk është ekzekutuar ky vendim, ai nuk është pjesë e këtij procesi. Tani këtë ngërç procedural duhet ta zgjidhin ata që e krijuan. Janë vendime të njëanshme të prokurorisë”, tha ai.
Vetë Berisha doli para mediave duke përsëritur qëndrimin se akuzat janë politike dhe të pabazuara, ndërsa akuzoi SPAK-un se po i shërben Qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Edi Rama. Ai theksoi se nuk do të paraqitet para gjykatës, pasi respekton Kushtetutën e vendit.
I pyetur nëse do të shkojë në gjykatë nëse thirret, Berisha u shpreh se Kushtetuta nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit.
“Për sa kohë Kushtetuta nuk lejon, kufizimin e lirisë së deputetit, unë jam njeri i ligjit dhe do të zbatoj ligjin e vendit. Kushtetuta ka epërsi ndaj të gjitha ligjeve të tjera. Nuk mund të kem qëndrim tjetër. Me urdhër të Ramës, janë sjellë në mënyrën më të turpshme, sill policë këtu dhe atje. Jam i sigurt që të gjithë deputetët e opozitës do e votojnë, e pranoj. Por, askush nuk më detyron të thyej ligjin”, tha Berisha.
Në një kallëzim të dorëzuar në vitin 2020 në SPAK nga Taulant Balla, tani ministër i Brendshëm, thuhet se “sipas të dhënave të Agjencisë së Pronave toka në fjalë ka qenë e pronarëve, por ajo i kaluar shtetit dhe në vitin 1940 ata janë dëmshpërblyer nga qeveria italiane, pasi vendi ynë ishte pushtuar nga Italia.”
Kompleksi sportiv “Partizani”, me një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë, u privatizua në vitin 2008, deri në atë kohë ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Rreth 22 mijë metra katrorë i përkisnin 64 trashëgimtarëve të pesë familjeve të ish-pronarëve, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi, ndërsa 4 mijë metra katrorë të tjerë ishin pronë shtetërore. Në fund të procesit të kthimit të kësaj prone, Jamarbër Malltezi arriti të marrë 35 për qind të të gjithë pronës, duke përfshirë këtu edhe pjesën që ishte tokë shtetërore. Sipas padisë së dorëzuar në SPAK, kjo është bërë përmes vendimeve të dyshimta të Qeverisë së Sali Berishës. Në atë sipërfaqe të përfituar, Jamarbër Malltezi së bashku me ortakun e tij, Fatmir Bektashi, kanë ndërtuar disa kulla.
Për këto ndërtime, në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori, theksohet se nuk dihet burimi i të ardhurave. Për këtë çështje janë thirrur në SPAK disa ish-ministra të Mbrojtjes dhe të Ekonomisë nga Qeveria e atëhershme e Berishës.
Ish-kryeministri Sali Berisha, dhe familja e tij, përfshirë edhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) nga Shtetet e Bashkuara, nën dyshimet se janë të përfshirë në korrupsion të lartë dhe cenimit të demokracisë.