Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka folur për dhunën e pretenduar ndaj serbëve nga autoritetet e Republikës së Kosovës.
Në fjalën e saj, ajo tha se “veçanërisht 12 muajt e fundit janë bërë aq të rëndë” për serbët në Kosovë.
“Nga Prishtina kemi disa mesazhe: ata serbë që janë larguar nga 1999 apo nga pogromi 2004 nuk duhet të kthehen më, nuk duhet të kthehen. Është fatkeqe që Kosova mbetet, sipas të gjitha raporteve të OKB-së, me numrin më të vogël të të kthyerve të personave të zhvendosur nga territore post-konflikti. Më pak se 2 për qind janë të kthyer në Kosovë. Dhe kjo nuk është aksidentale. Kur kthehen, zakonisht i gjejnë pronat e tyre të uzurpuara, dhe pastaj shkojnë te autoritetet për të raportuar, në kërkim të drejtësisë, shumicën e rasteve ata arrestohen dhe përfundojnë në burg”, pretendoi Bërnabiqi, .
Ajo përmendi emra serbësh që thotë se u arrestuan për krime lufte, duke thënë se ata u arrestuan vetëm pse kishin kërkuar të ktheheshin në Kosovë, ani se të njëjtit, sipas saj, kanë hyrë e dalë nga Kosova shumë herë më parë.
Bërnabiqi përmendi edhe raste tjera të pretenduara të dhunës ndaj serbëve në Kosovë, duke akuzuar “terrorin e Albin Kurtit”.
Sipas saj, Kosova nuk është e interesuar të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, ndër to, as atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.