Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese është bërë aleat i partive opozitare.
“Mendoj që Gjykata Kushtetuese është bërë aleat i opozitës. Një përpjekje shumë e vështirë por do të jetë e suksesshme”, tha Haxhiu në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.
Për këtë reagoi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.
“Kjo fjalë e konfirmoi tendencën që shteti demokratik të kthehet në shtet autokrat”, tha ajo.
Kryesuesi i këtij Komisioni, Alban Bajrami, tha se Kosova është vendi i parë që e ka votuar Konventën e Stambollit dhe se po e trajtojnë me prioritet parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës seksuale.
Për këtë temë, më gjatë foli ministrja Albulena Haxhiu. Ajo tha se me marrjen e mandatit, parandalimi i kësaj dukurie është bërë prioritet. Theks të veçantë tha se i kanë dhënë miratimit të akteve nënligjore, me ç’rast është edhe ofrimi i ndihmës juridike falas. Madje tha se për ata prokurorë e gjyqtarë që nuk i kanë kryer detyrat do ketë një vlerësim të qartë.
“Në momentin që është themeluar komisioni e kam mirëpritur sepse e konsideroj të rëndësishme trajtimin e këtyre çështjeve. Që nga momenti që kam pranuar punën, çështja e dhunës në familje është bërë prioritet. Për këtë qëllim e kemi miratuar strategjinë nacionale kundër dhunës seksuale dhe po ashtu ne kemi miratimit një sërë aktesh nënligjore. Ndër to janë ofrimi i ndihmës juridike falas”.
“Gjatë këtij viti kemi ndarë buxhet për strehimoret dhe këtë vit kemi ndarë rreth 900 mijë euro dhe është buxheti më i madh për këto strehimore. Ndërsa 1.5 milionë janë ndarë për subvencione për organizatat që merre me parandalimin e kësaj dukurie”, u shpreh Haxhiu.
“Deri tani nuk kemi parë veprime ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të kenë marr veprime disiplinore. Do ta kemi një pasqyrë të qartë se kush nuk i ka kryer detyrat dhe kush është dashur të bëjë më shumë”, u shpreh Haxhiu.