Rasti i Banjskës, Kurti i kërkon BE’së dhe SHBA’së një Gjykatë Speciale për ta dënuar Klanin e Novi Sadit

by Nexhat

Kryeministri Albin Kurti shkroi sot në Facebook se “sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit”.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta formojnë një Gjykatë Speciale për këtë klan, pasi tha se “Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi”.

“A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, shkroi Kurti.

Ai tha se në krye të këtij klani “ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, shkroi Kurti.

Në Serbi, Kurti tha se “është shteti që e dikton krimin”. Por ndërsa tha se “në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve”, tha se një instancë më ndërkombëtare nevojitet për t’u marrë me këtë klan.

Për Kosovën, një gjykatë speciale funksionon tashmë dhe atje po gjykohen ish-krerët ushtarakë dhe politik të UÇK-së e më pas të shtetit. Më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, pesë kishin qenë kundër, ndërsa një kishte abstenuar. Prej kur shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës votuan për themelimin e saj, Gjykata Speciale është cilësuar si njëetnike dhe është akuzuar se i diskriminon shqiptarët

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy