Sali Berisha i ka cilësuar krejtësisht politike akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit.
Në një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Erla Mëhilli ai ka përjashtuar si opsion largimin nga funksionet e tij politike, ndërsa ka theksuar se do i shkohet të vërtetës deri në hallkën e fundit që është Gjykata e Strasburgut.
“Sot nuk është vetëm SKAP. Është një sistem, ka një Konventë Europiane të të Drejtave të Njeriut. Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut ju njeh të gjithë qytetarëve shqiptarë të drejtën e drejtimit në Strasburg. Ka një gjykim publik pastaj për të gjitha gjërat dhe publiku është një gjykatë në vetvete. Është gjykata e ligjit, por është dhe publiku, është Strasburgu. Do të luftohet për të vërtetën deri në fund,” – u shpreh Berisha.
Sipas tij nëse gjendet një dokument i vetëm që vërteton fajësinë, ai nuk do të jetë më ai që është, por nënvizoi se nuk mund të pranojë asgjë të bazuar në gënjeshtra.
“Jeta ime është betejë për të vërtetën. 32 vite më parë, Sali Berisha ka qenë kardiolog, ndjehej kalorës ose princ në atë profesionin e tij, isha shumë i pasionuar pas shkencës, udhëtoja jashtë, brenda, kisha punime të publikuara në gjithë botën që janë dhe sot, pra vendimi im pa kthim për të luftuar diktaturën ishte betejë për të vërtetën, nuk ishte betejë për privilegje, unë i kisha, isha njeri i privilegjuar” – u shpreh Berisha.