Raportohet se qeveria e Kosovës e ka pranuar planin e ri të Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serb.
Mediumi “Koha” raporton se nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar që është pranuar plani i prezantuar nga pesë emisarët perëndimorë gjatë vizitës së tyre të shtunën.
“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.”
Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, raportohet se thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Deri më tani, nuk dihen detaje se çfarë përmban ky plan, derisa për nesër është thirrur një takim në Bruksel mes kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.
Ndërkohë, në një intervistë për “Financial Times” të publikuar sot, Kurti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë dialog pa u sanksionuar Serbia për ngjarjet e 24 shtatorit.
“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog.” – ka thënë Kurti.
“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin” – ka thënë tutje ai për Finacial Times.
Kurti i akuzoi sulmuesit se “po mundoheshin që të nisnin një konflikt të armatosur të ri, një luftë të re në Kosovë për ta aneksuar pjesën veriore të vendit tonë”.
Ai tha se pas sulmit të 24 shtatorit, “gjithçka ka ndryshuar. Nuk mund t’i kthehemi punës si zakonisht.”
Tutje Kurti sipas raportimti i ka bërë thirrje emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që të ndalonte “së konsideruari Serbinë si forcë e natyrës, një lloj arushe iracionale të cilës duhet t’i hedhim qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes e sigurisë.”
Kjo deklaratë e Kurtit vjen një ditë pas njoftimit të Bashkimit Evropian se Kurti dhe Vuçiq janë ftuar për takim të enjtën më 26 tetor në Bruksel.
“Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave.” – ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.” – ka shtuar ai.