“S’ka dialog pa dënim dhe sanksione ndaj Serbisë”, BE nuk përgjigjet për deklaratat e Kurtit

by Nexhat

Ardhja e Pesëshes në Kosovë e Serbi për të intensifikuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy fqinjëve rezultoi me një ftesë nga Bashkimi Europian për liderët e dy vendeve që për takime në margjina të një samit të Këshillit Europian që mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel.  Kurti ka pranuar të shkojë në Bruksel për takime me Presidentin e Francës, Kancelarin e Gjermanisë, Kryeministren Italiane dhe Presidenten e Komisionit Europian duke e pranuar si bazë propozimin e ri të Pesëshes që përfshinë edhe një statut për Asociacionin. Por, në një intervistë të publikuar sot në gazetën Financial Times ai çoi edhe mesazhe tjera.

Një ditë para këtyre takimeve në Bruksel, kryeministri Albin Kurti po këmbëngul që Serbia duhet të sanksionohet para se të rikthehet në tryezën e dialogut me Kosovën. Këtë mesazh Kurti ia dërgoi Bashkimit Europian përmes një interviste në mediumin britanik “Financial Times”.

Por, BE ka refuzuar të komentojë këtë deklaratë të Kurtit

“Nuk kemi asgjë për të shtuar nga përgjigjja që iu dhamë dje”, thanë nga BE.

Edhe pas mesazhit të qartë që e sollën pesë emisarët perëndimorë në Prishtinë se sulmi terrorist në Banjskë nuk do të ndryshojë rrjedhën e dialogut, Kurti përsëriti qëndrimin e tij se pas ngjarjes së 24 shtatorit gjërat nuk do të jenë më njësoj.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog”, tha sot Kurti për FT.

Kurti ka thënë se nëse s’ndodh ndëshkimi “do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin”.

Mediumi britanik ka thënë se, sipas Kurtit, Perëndimi duhet t’i shuajë shpresat për rikthim të bisedimeve në rrugë të duhur, nëse “nuk shtrëngon” Serbinë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje në një përgjigje për Express ka konfirmuar se kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq janë ftuar në takime “në mbështetje të dialogut” në kuadër të takimit të Këshillit Europian.

“Diskutimet e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak në Beograd/Prishtinë gjatë fundjavës u fokusuan në atë se si të avancohet zbatimi i Marrëveshjes [Ohrit]. Nuk ka asnjë qëllim për ta zëvendësuar atë. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa prej tyre në formë të shkruar – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Këtu përfshihet edhe një propozim modern europian për (statutin) e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne presim veprime të shpejta nga palët për të treguar se janë të përkushtuara për të vazhduar procesin e normalizimit – duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse të dialogut nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara pa parakushte apo vonesa. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u ftuan në takime në mbështetje të dialogut në margjinat e Këshillit Europian këtë javë”, tha Stano në përgjigje.

Vetë presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, i ka lajmëruar shtetet anëtare se do të flasin mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Ne do të mbulojmë gjithashtu çështje të tjera shqetësuese të politikës së jashtme – duke përfshirë situatën në Sahel, marrëdhëniet Prishtinë-Beograd dhe Kaukazin e Jugut”, thuhet në ftesën e Michel për vendet e BE-së.

Sipas konfirmimit të Qeverisë  Kurti pritet të takojë ndaras Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidenten e KE’së Ursula Von der Leyen.

BE nuk është përgjigjur as për agjendën e takimeve që kanë organizuar për Kurtin e Vuçiqin dhe nuk dihet nëse do të ketë një takim të përbashkët

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy