Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të 31-të me (kod 4753), Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes prokurorit Matt Halling, prezantoi një dokument të vitit 1998 që sipas tij ishte gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit.
Prokurori Halling kërkoi që ky dokument të pranohet si provë materiale në këtë çështje.
“Në fjalinë e parë të këtij dokumenti thuhet z.Mahir Hasani nga Peja vihet në dispozicion të bazës së Drenocit nën komandën e z.Gjermani”, tha Prokurori.
Për këtë dokument, dëshmitari tha se është i datës së njëjtë kur Mahir Hasani kishte shkuar në Drenoc mirëpo thotë se nuk e di se kush e ka shkruar.
“E njëjta datë është 31. Nuk e di, kush e ka shkru le të tregon”, tha dëshmitari.
Ky dokument u pranua si provë materiale nga trupi gjykues mirëpo pati kundërshtime nga mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe dhe mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit, Aidan Ellis.
Avokati Keohe tha se nuk ka bazë për pranimin e këtij dokumenti dhe se dëshmitari nuk ka lidhje me të.
“Nuk ka bazë fare pranimi i këtij dokumenti. Ky dëshmitar nuk ka lidhje fare me këtë dokument. Ai thotë që nuk e ka parë më përpara. Është dokument që nuk është nënshkruar nga askush, kështu që si do të përcaktojmë tërësinë e këtij dokumenti, si do e vërtetojmë. Ne parashtrojmë se nuk ka temësi ky dokument”, tha avokati Keohe, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa, avokati Ellis tha se edhe ata e kanë të njëjtin kundërshtim.
“Ne e kemi të njëjtin kundërshtim. Është dokument që nuk është i nënshkruar, as nuk mban vulë dhe nuk tregon asgjë sa i takon autorit të tij. Është dokument i paplotë se në fillim farë thuhet; personi i autorizuar dhe pastaj kemi dy shifra dhe nuk ka asgjë tjetër që shkruhet dhe kështu dëshmitari nuk mund të bëjë vërtetimin e këtij dokumenti”, tha Ellis.
Pas kësaj, dëshmitari i 31-të është duke e vazhduar dëshminë e tij në sesion privat për publikun.