Komisioni Disiplinor i FIFA-s “ka skualifikuar Luis Rubiales, ish-presidentin e Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll (RFEF), nga çdo aktivitet në lidhje me futbollin për tre vjet, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, mbi bazën se sjellja e tij ka shkelur nenin 13 të Kodit Disiplinor të FIFA-s”.
Këtë e ka bërë të ditur FIFA. Çështja ka të bëjë me ngjarjet që ndodhën gjatë finales së Kupës Botërore të FIFA-s për femra më 20 gusht 2023 me puthjen e lojtares Jenny Hermoso, për të cilën Rubiales u pezullua përkohësisht për një periudhë fillestare prej 90 ditësh.
Vendimi i Komisionit Disiplinor të FIFA-s i është komunikuar sot zotit Rubiales, i cili “sipas Kodit Disiplinor të FIFA-s ka dhjetë ditë kohë për të kërkuar vendimin e arsyetuar, i cili nëse kërkohet do të publikohet në legal.fifa.com. Ky vendim mund të apelohet në Komitetin e Apelimit të FIFA-s”.
FIFA gjithashtu “rikonfirmon angazhimin e saj absolut për të respektuar dhe mbrojtur integritetin e të gjithë njerëzve dhe për të siguruar që rregullat bazë të sjelljes qytetare të respektohen”./Informim/