Sulmi me zollë ndaj kuvendit, Prokuroria Speciale kërkon që lënda ndaj ish-aktivistëve të VV-së për terrorizëm të kthehet në rigjykim

by Nexhat

Në Gjykatën e Apelit, të martën është elaboruar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), me të cilën është kërkuar që lënda ndaj ish-deputetit Frashër Krasniqi, si dhe Adea Batushës, Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit, lidhur me akuzën për terrorizëm, të kthehet në rigjykim.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 dhjetor 2022, i kishte liruar nga akuza katër të akuzuarit.

banner

Ankesa e PSKR-së u shqyrtua nga kryetari i kolegjit të Apelit, gjykatësi Kreshnik Radoniqi, gjyqtari referues Vaton Dërguti dhe anëtar gjykatësi Bashkim Hyseni.

Përmes ankesës, Prokuroria Speciale ka kërkuar që lënda ndaj Krasniqit, Batushës, Halitit dhe Arifit të kthehet në rigjykim dhe rivendosje, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe për shkak të shkeljes së Ligjit Penal.

Gjykatësi Dërguti njoftoi se Prokuroria Apelit përmes parashtresës, ka kërkuar që ankesa e PSRK-së të aprovohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Mbrojtësi i Arifit, avokati Ramiz Krasniqi, kërkoi që të mos aprovohet ankesa e Prokurorisë dhe që aktgjykimi i Themelores të vërtetohet, pasi që sipas tij të gjitha provat materiale përfshirë edhe raportin e FBI-së, flasin për pafajësinë e të akuzuarve.

Po ashtu edhe mbrojtësi i Krasniqit, avokati Florent Latifaj kërkoi që ankesa e PSRK-së të refuzohet dhe aktgjykimi i Themelores të vërtetohet, për shkak se sipas tij vetë fakti që ankesa e Prokurorisë është vetëm dy faqe, mund të kuptohet edhe serioziteti i tyre.

Edhe avokati i Halitit, Emrush Krastati kërkoi që ankesa e PSRK-së të refuzohet, aktgjykimi i Themelores të vërtetohet pasi sipas tij kjo ankesë e ushtruar nga ana e PSRK-së është bërë sa për të mos u thënë dikush se përse nuk keni ushtruar ankesë.

Krejt në fund mbrojtësi i Batushës, avokati Ali Beka kërkoi që ankesa e PSRK-së të refuzohet dhe aktgjykimi i Themelores të vërtetohet, krejt kjo pasi që sipas tij në ankesën e PSRK-së përshkruhet një ngjarje e pasaktë.

Kurse, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi nuk shtuan asgjë, duke i mbështetur në tërësi të thënat e vetë mbrojtësve të tyre.

Më pas, gjykatësi Radoniqi njoftoi palët se brenda afatit ligjorë do të marrin vendimin e Apelit lidhur me këtë çështje.

Më 27 nëntor 2017, katër të akuzuarit ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, lënda ishte kthyer në rigjykim. Kurse, Themelorja më 27 dhjetor 2022, mori aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzonte për kryerjen e veprës penale të terrorizmit. Aktakuza thotë se me qëllim që Kuvendi të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, më 4 gusht 2016, nga parking përballë Kuvendit, me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit.

Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren./”Betimi për Drejtësi”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy