Në Shqipëri, tensioni mes opozitës dhe shumicës vijon të mbetet i lartë, me një grup deputetësh demokratë të cilët sot bllokuan fillimisht zhvillimin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku ishte parashikuar prezantimi i projekt buxhetit të vitit të ardhshëm nga ministri i Financave Ervin Mete
Deputetët e opozitës u vendosën përpara dyerve të sallës ku do të zhvillohej takimi duke mos lejuar hyrjen e askujt, ndërsa debate me tone të larta u zhvilluan mes tyre dhe përfaqësuesve të shumicës. Përplasjet e sotme pasojnë ato të dy ditëve më parë në seancën parlamentare ku pati dhe një konflikt fizik mes deputetit demokrat Gledion Nallbati dhe atij socialist Vullnet Sina, i cili nuk u lejua të mbante diskutimin e tij. Për pasojë ndaj 6 deputetëve të opozitës u mor masa e përjashtimit.
Deputeti Gazmend Bardhi, një prej të përjashtuarve, pati debate të ashpra me kryetaren e parlamentit Lindita Nikolla në korridoret e parlamentit. Më herët një grup deputetësh të opozitës hynë me forcë në zyrën e zonjës Nikolla, ndërkohë që ajo nuk ishte aty. Ndërsa mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, fillimisht u shty dhe deputetët u shpërndanë, për ta zhvilluar pasdite seancën e tyre online.
Deputetët e opozitës kanë deklaruar se nuk do të lejojnë zhvillim normal të seancave parlamentare apo të punës në Komisione, derisa, siç shprehen, të respektohen të drejtat themelore të tyre. Ata akuzojnë shumicën për refuzimin e ngritjes së disa komisioneve hetimore, apo se po kërkon të imponojë përfaqësuesit e opozitës në komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore. Zoti Bardhi deklaroi sot se i njëjti qëndrim bllokues i opozitës do të mbahet dhe gjatë seancës së nesërme të parlamentit. “As seanca e nesërme dhe as një komision parlamentar nuk ka për të funksionua, përsa kohë nuk lejohet të funksionojë opozita e vendit. Nuk po kërkojmë të zëmë as karriken e Lindita Nikollës, as të zëmë karriket kolegëve të shumicës. Po kërkojmë të drejtat tona, po kërkojmë të ushtrojmë mandatin që na kanë dhënë qytetarët e ndershëm të këtij vendi”, tha zoti Bardhi.
Ish kryeministri Sali Berisha nga ana e tij u shpreh se gjithçka ishte pasojë e faktit se “pas një durimi të stërzgjatur të deputetëve të opozitës për të rivendosur të drejtat, erdhi një moment kur qenia e tyre në parlament ishte absolutisht fiktive. Nuk mund të rrimë në parlament si rrogëtarë dhe të mos përmbushim misionet për të cilat na kanë votuar qytetarët. Ndaj dhe sot, grupi bllokoi mbledhjen e kryesisë me kërkesën: të plotësohen kërkesat tona kushtetuese”, theksoi zoti Berisha duke përsëritur paralajmërimin se “ky është vetëm fillimi. Ta dijë Edi Rama”.
Zoti Berisha dhe mbështetësit e tij, që prej muajit shtator janë bashkuar me zotin Bardhi dhe deputetët e tjerë pranë tij, duke përbërë numrin më të madh të parlamentarëve të zgjedhur nën emrin e PD-së në zgjedhjet e vitit 2021. Zoti Lulzim Basha, i cili ka siglën zyrtare të PD-së ka mbetur me një numër të kufizuar deputetësh./VOA