Presidentja Osmani pret ambasadorin e ri të Shqipërisë, Petrit Malaj

by engel

Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj.

Ajo me këtë rast e uroi Malajn për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy shteteve simotra.

Gjatë këtij takimi presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme mbetet prioritet.

“Fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi”, ka theksuar Osmani, njofton Zyra e Presidencës.

Më tej, në takim me ambasadorin Malaj, Osmani tha se Kosova pret që Shqipëria të jetë zë i Kosovës në mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat aktualisht shteti ynë nuk ka përfaqësim.

Presidentja Osmani, ndër të tjera e njoftoi ambasadorin Malaj edhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, me ç’rast, ajo potencoi rëndësinë e adresimit të përgjegjësisë të Serbia dhe aplikimit të masave ndëshkuese ndaj saj.

Sipas njoftimit, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm dhe shtruan nevojën e zbatimit të marrëveshjeve ndërshtetërore të arritura deri tash./RTK

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy