Mauricio Pochettino ka thënë se Armando Broja do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së hënës përballë Tottenhamit, në derbin e Londrës.
Sulmuesi kuqezi për shkak të një shqetësimi fizik nuk dha kontribut as për Shqipërinë në ndeshjet përballë Çekisë në eliminatore dhe me Bullgarinë në miqësore.
Ai do të grumbullohet për sfidën e radhës të Chelseat, edhe pse mbetet në dyshim nëse do të luajë nga minuta e parë.
“Broja? Tani duhet ta vlerësojmë për të parë nëse është gati të luajë nga minuta parë të hënën. Ndoshta ai do të jetë i disponueshëm për të qenë në stol. Ai po stërvitet sot dhe shpresoj se mund të përfshihet,” ka thënë Pochettino.
Broja këtë sezon është aktivizuar në vetëm tri ndeshje (122 minuta në total), në dy prej të cilave titullar, dhe ka shënuar një gol.