Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, ka paralajmëruar se asnjë klub nuk është i imunizuar nga lloji i krizës që ka përfshirë rivalët e Junajtidit në javët e fundit.
Kampionët e Anglisë e kontrolluan plotësisht derbin e Mançesterit të dielën, duke i shkaktuar rivalëve humbjen e pestë në 10 javët e para të kampionatit. Por 52-vjeçari këmbëngul se fitorja nuk kishte qenë aq e thjesht sa shumë menduan.
“Nuk ishte e lehtë”, tha Guardiola në konferencën për shtyp përpara sfidës me Bornmëthin. “Na ndihmoi shënimi i golit të dytë herët (në pjesën e dytë) dhe më pas ne patëm kontrollin, por nuk është kurrë e lehtë. Unë kam shumë respekt për Mançester Junajtidin. Periudhën që ata po kalojnë tani, mund ta kalojmë edhe ne. Askush nuk është larg këtyre lloj situatave”.
Trajneri i Sitit komentoi edhe situatën psikologjike të Erling Halandit, pasi sulmuesi i tij u rendit i dyti në garën për “Topin e Artë”, fituar për të tetin vit nga Lionel Mesi.
“Unë do të thosha se e pashë atë shumë të lumtur që ishte një pretendent, pranë Mesit dhe Mbapesë dhe pjesës tjetër të lojtarëve. Ishte një natë e bukur për Sitin. Siti ishte aty, i pranishëm dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse nuk kemi qenë kurrë atje në të kaluarën. Erling e ka gjithë karrierën përpara tij, kështu që ai duhet të vazhdojë të fitojë dhe të thotë ‘OK, ndoshta sezonin e ardhshëm mund të jem atje’. Ky duhet të jetë objektivi i tij”.