Stuhia që ka përfshirë vendin pritet të sjellë edhe sot shira të dendura si edhe erë të fortë duke rritur rrezikun për përmbytje në zona të ndryshme.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, Bashkia Lezhë ka deklaruar se përmbytjet janë parashikuar sipas të dhënave nga shërbimi Meteorologjik.
Bashkia e Lezhës thotë se shërbimet e emergjencës do të jenë në gatishmëri për çdo rast problematik. Megjithatë, përveç masave, kanë vënë në dispozicion të banorëve edhe një numër telefoni për çdo vështirësi që mund të krijohet.
“Bashkia Lezhë lidhur me të dhënat e marra nga Shërbimi Meteorologjik, ju bën me dije se priten reshje të dendura shiu dhe përmbytje! Shërbimet e Emergjencave të Bashkisë Lezhë do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast problematik”, njoftoi bashkia e Lezhës.
Siç ka raportuar më herët edhe AlbEu, zonat që pritet të preken më shumë janë Lezha, Shkodra si edhe në jug, Saranda, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, etj.
Reshjet pritet të jenë intensive edhe gjatë ditës së sotme në zona të ndryshme të vendit.