Kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka deklaruar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Nik Gjeloshaj, ish-kryetar i komunës së Tuzit dhe tash zv.kryeministër në qeverinë e re të Malit të Zi, ka votuar që Mandiq të bëhet i pari i legjislativit.
Gjeloshaj në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se atij i mjafton që Mali i Zi e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
“Unë jam këtu për t’i respektuar marrëveshjet dhe mua më mjafton ajo që Mali i Zi do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha shtetet që i ka njohur.
Ne jemi marr vesh me Mandiqin që nëse ai voton qeverinë tonë, ne do të votojmë që ai të bëhet kryetar” – ka shpjeguar Gjeloshaj.
Ai ka shtuar se nëse Kosovës do t’i duhet vota e Malit të Zi, do ta ketë atë. I pyetur se nëse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do ta vizitonte Mandiqin, a do të pranonte ky i fundit që ta takonte.
“Unë mendoj që po, do ta takonte, nëse Konjufca vjen në Mal të Zi mendoj që duhet të takohet me kryetarin e kuvendit të Malit të Zi” – tha Gjeloshaj.