​Deputeti Rrustemi: S’ka Asociacion pa njohje de-facto

by Nexhat

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë se s’do ketë themelim të Asociacionit, pa u zbatuar në tërësi marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që sjell njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia.

Sipas deputetit të partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, plani euro-amerikanë për sekuencimin e ujdisë së Brukselit është gjithëpërfshirës, ku mes tjerash edhe drafti për Asociacionin bazohet në Kushtetutën e vendit dhe që s’do të ketë kompetenca ekzekutive.

banner

Megjithatë, Rrustemi thotë se nëse do të ketë nënshkrim të marrëveshjes i mbetet Gjykatës Kushtetuese, të thotë fjalën e fundit për Asociacionin.

“Plani i ri i zbatimit synon që në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të plotë të senksuencojë zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit. Natyrisht është edhe drafti për nenin shtatë për vetëmenaxhimin e komunitetit serb. Kurti në takimin në Bruksel është ofruar i gatshëm për të nënshkruar të tri marrëveshjet. Marrëveshjen Bazë të Brukselit, aneksin e Ohrit dhe planin e ri të pesëshes euro-amerikane bashkë me draftin për nenin shtatë. Normalisht drafti për aq sa është thënë bazohet në Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimin e Chollet dhe Escobar mbi atë çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë Asociacioni, po ashtu edhe mbi letrën e zonjës Mogherini dërguar ish kryeministrit të Kosovës, që nënkupton se ky mekanizëm nuk mund të ketë mekanizma ekzekutive dhe nuk mund të jetë nivel i tretë i pushtetit. Në cilëndo situatë në rast se do të ketë nënshkrim, pranim dhe zbatim të marrëveshjes së Brukselit drafti mbi vetë menaxhimin e komunitetit serb do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo do të thotë fjalën e fundit mbi atë se a është në përputhje me Kushtetutën”, thekson ai

Sipas tij, për Kosovën do të jetë e papranueshme që Asociacioni të trajtohet vetëm si pikë e veçantë dhe mos të ketë plan të qartë të zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

“Për Kosovën është e papranueshme që të trajtohet një pikë e veçantë e marrëveshjes bazë pa u garantuar me një plan real dhe të ekuilibruar të zbatimit të marrëveshjes së plotë. Keni parasysh se nuk mund të diskutohet vetëm për pikën e shtatë pa u siguruar që përmbushet pika e parë, dytë dhe e tretë që janë me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe që nënkuptojnë njohjen de-facto. Ne duhet të shohim pamjen e përgjithshme, zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe njohjen reciproke. Ndërkohë u dëshmua edhe në Bruksel se Serbia është pala deskturuktive që nuk dëshiron as zbatim dhe as normalizim të marrëdhënieve”, thotë deputeti i mazhorancës.

Ai akuzon Serbinë për qasje destruktive në dialog, madje sipas tij edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme atje në kohën kur ka përpjekje të shtuara ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën tregon një gjë të tillë.

“Shpallja e zgjedhjeve në Serbi është një përpjekje për t’i ikur zbatimit të marrëveshjes. Por Kosova në raport me bashkësinë ndërkombëtare duhet të jetë palë konstruktive dhe serioze. Është shumë me rëndësi që sjellja e Kosovës duhet të përqendrohet edhe në atë që ne duhet të ruajmë raportet me partnerët ndërkombëtar por duhet të mbrojmë edhe rendin kushtetues të Kosovës si të paprekshëm dhe të pacenueshëm”, shton ai.

Përkitazi me këtë, Rrustemi kërkon dënimin dhe sanksionimin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçant, më 24 tetor.

“Serbia duhet të ndëshkohet për aktin e agresionit të 24 shtatorit, jo për hirë se ne po duam ndëshkimin e Serbisë, por për shkak të mos përsëritjes së aktit. Mosndëshkimi eventual i Serbisë për aktin e agresionit është një lloj sinjali që mund të keqpërdoret nga Serbia që mund të përsëriten aktet të tilla madje edhe më të rënda. Prandaj duhet të sanksionohet Serbia dhe të sillet Radojiçiq dhe grupi terrorist për t’u gjykuar në Kosovë”, thotë ai për kp.

Ndërkaq, e sheh të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Së fundmi diplomatët euro-amerikanët paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që sipas tij Vuçiq refuzoi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy