Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Kosovës nuk i duhet nënshkrimi i Serbisë për draft-statutin e Asociacionit, pasi Asociacioni është çështje e brendshme e vendit.
“Unë nuk mendoj se ne varemi nga nënshkrimi i Serbisë, sepse Serbia nuk mban përgjegjësi… unë mendoj se në vend që me lyp nënshkrim të Vuçiqit, më mirë me lypë miratimin, apo aprovimin e Bidenit, Scholzit e këtyre për anëtarësim në NATO me një procedurë të shpejtë që ka ndodhur me Finlandën dhe Suedinë. Edhe po na e dha nënshkrimin Vuçiqi ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, çka është dallimi? Vuçiqi është Vuçiq, prapë nuk ndryshon, as Serbia nuk ndryshon”, deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se nuk e kupton insistimin e kryeministrit Kurti që draft-statutin e Asociacionit ta nënshkruajë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk e kuptoj Albinin, çka i vyen nënshkrimi i Vuçiqit? Albinit i vyen nënshkrimi i Macronit, Scholzit, Bidenit, Melonit e të tjerëve, nuk e kuptoj përse po i mbetet hatri? Në Parlament thoshte me ju ka nënshkruar me mua jo. Por, çka po të vyen bre?”, tha Haradinaj.