Mes rezervistëve izraelitë të njësisë 454 në buzë të Gazës
Ushtari hebre me kapele në kokë, vjen nga Lodi, një qytet i përzier në Izraelin qendror dhe flet një muaj pas sulmit më 7 tetor.
“Unë besoj se ne duhet ta eliminojmë plotësisht Hamasin. Jo vetëm për ne, por edhe për palestinezët”- thotë ai per ANSA.
Njësia e tij e artilerisë, 454, e përbërë tërësisht nga rezervistë, ndodhet në Izraelin jugor, shumë afër nga kufiri i Gazës. Në një fushë të madhe të dheut ka tanke që po gjuajnë- në drejtim të trupave tashmë brenda Rripit – pozicionet e Hamasit. Është një gjuajtje thuajse e vazhdueshme dhe gazetarët – me jelekë antiplumb dhe helmeta të detyrueshme – detyrohen të mbajnë mbrojtëse veshësh për të zbutur ndikimin shurdhues të lëshimeve.
Për të mbërritur në bazën e njësisë, i shoqëruar nga ushtarët, duhet kaluar në magjistralen aty pranë dhe futesh nëpër bimë derisa të arrish në kamp. Jo shumë larg rruga është e mbushur me makina civile: lufta në një skenar normal.
“Ne duhet të çlirojmë Gazën nga Hamasi – këmbëngul Matan -. Po përdor civilët si mburoja njerëzore dhe palestinezët vuajnë nga Hamasi. Për sa kohë që ekziston, Izraeli do të vazhdojë të jetë në rrezik”.
Pranë tij, një grup shokësh ushtarësh – të gjithë rreth të 30-ave – tundin kokën. Nga streha e një prej tankeve, Matan shpjegon se “ne duhet të përfundojmë misionin, të çlirojmë pengjet dhe të eliminojmë këtë organizatë terroriste që do vetëm një Palestinë nga lumi në det pa një shtet hebre. Këtë – thotë ai – ne s’ do ta pranojme kurrë, madje shpresoj se do të jetë lufta e fundit. Në fund edhe me fitore konflikti do të jetë një traumë e madhe për të gjithë vendin”.
Baza është në kontakt të ngushtë radiofonik me trupat brenda Rripit, pozicionet e trupave që do të goditen transmetohen nga ata në fushën e betejës. Brenda ka një çorganizim të dukshëm, por, pak nga pak, duke parë shtrirjen e tankeve dhe dhomës së kontrollit, kuptojmë kapacitetin e tyre aktual. Nën një tendë të madhe – e cila mbron nga dielli në nxehtësinë mbytëse – është zemra e bazës e shtrydhur midis dy tankeve dhe mjeteve të tjera të blinduara për mbrojtje. Tavolina, karrige, shtretër kampi, frigoriferë të ngjitur kush e di ku, shporta me fruta dhe perime, kanaçe me ushqime. Një ushtar i ri, me gradën rreshter, rrëfen nxitimin dhe zhurmën që pasoi urdhrat e para për t’u kthyer menjëherë në detyrë natën e 7 tetorit.
“Ka pasur edhe lëshime masive raketash nga Gaza në raste të tjera – nënvizon Ido, një tjetër rezervist me anglishte të rrjedhshme për shkak se kishte jetuar në Sydney – por atë natë në një moment të caktuar kanalet e lajmeve filluan të merrnin dhe të transmetonin telefonata nga njerëzit në strehimore që kërkonin ndihmë.Ishim plotësisht në shok. Edhe vetë drejtuesit e emisionit televiziv. Kam humbur dy shokë që u vranë në festivalin Nova në kibutz të Beerit. Dhe më pas – vazhdon ai – filluan të qarkullojnë videot që shfaqnin saktësisht atë që ndodhi. Dhe ishte kaq brutale”.
Të gjithë rezervistët – Izraeli ka tërhequr më shumë se 300 mijë prej tyre – kanë lënë familjet dhe fëmijët e tyre në shtëpi, kanë lënë punën në pritje, disa janë kthyer me nxitim nga jashtë vendit ku ishin. “Nëse ka një luftë të drejtë – nënvizon më tej Matan – është kjo. Hamasi është si ISIS. Ne pamë se çfarë bëri në Izrael. Në disa vende ishte edhe më keq se Shoah. Ne duhet të mposhtim terroristët radikalë në mbarë botën dhe Hamasi është pjesë e tij, si Hezbollahu, si Irani”./Informim/