Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka folur lidhur me çështjen e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian.
Në një intervistë për Klan Kosova, Hasani ka thënë se ky lloj Asociacioni është jashtë rendit kushtetuese të Kosovës dhe nëse zbatohet i bie që të mos ekzistojë fare Kushtetuta e Kosovës.
“Faktikisht kryeministri ka kompetenca shtesë që ia cakton Kushtetuta, s’mund t’ia caktojë statuti që është akt nënligjor, mandej Gjykatës Kushtetuese i caktohen kompetenca. Faktikisht organet qendrore po vihen në shërbim të bashkësisë së komunave serbe, shërbëtorë të tij. Kjo çfarë po ndodh edhe kjo bashkësi e komunave do të operojë jashtë rendit kushtetues të Kosovës. Do të thotë si mos të ekzistojë Kushtetuta e Kosovës fare”, ka thënë Hasani.
Tutje, Hasani ka shpjeguar se draft-statuti nuk është ligj pasi që në Kosovë ligje mund të nxjerre vetëm Kuvendi i Kosovës. Ai ka thënë se drafti nuk mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga kryeministri i Kosovës.
“Atë mund ta bien në gjykatë si vendim të qeverisë vetëm deputetët, palët e autorizuara, Avokati i Popullit dhe Presidentja e Kosovës. Nuk mundet kryeministri. Nuk pres prej Gjykatës Kushtetuese të shërbejë si bigë për proceset politike që janë pranuar me ndërkombëtarët”, ka thënë ai.
Më tej, Hasani ka thënë se nëse themelohet Asociacioni, Serbia futet në çështjet e brendshme të Kosovës dhe se Kosovës i kontestohet titulli juridik pavarësia.
“Serbia futet, më shumë se asnjëherë më parë në çështjet e brendshme të Kosovës që lidhen me sovranitetin e brendshëm të Kosovës. Prej mënyrës së financimit. Neve na kontestohet titulli juridik i pavarësisë që është shpallur dhe që na ka pranuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Çdo zgjidhje e autonomisë serbe në Kosovë nuk mund të jetë e përhershme” ka thënë ai.
Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se drafti është më i avancuar, por që sipas tij, nuk do të thotë se janë të kënaqur plotësisht.
Kurti të martën në një deklarim për medie, ka bërë të ditur se ka dërguar vërejtjet e tij lidhur me këtë draft te emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak. Ky draft ende nuk është bërë publik.