Zelensky: Ukraina pret “konkluzion historik” për anëtarësim në BE

by Merita

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi është tashmë duke i planifikuar hapat që do t’i ndërmarrë pasi Komisioni Evropian (KE) ta publikojë më 8 nëntor një raport për përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). “Nesër është një ditë e rëndësishme”, tha Zelensky mbrëmjen e 7 nëntorit.

“Ne presim një konkluzion historik nga Bashkimi Evropian – një raport rreth zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian nga ana e Ukrainës”, shtoi ai.

banner

Zelensky tha se Ukraina e ka bërë një rrugë të gjatë drejt ndërtimit të marrëdhënieve të forta me BE-në dhe se është plotësisht e vetëdijshme se vendimi për anëtarësimin e saj është politik, i cili varet edhe nga kandidati dhe puna e tij për t’u përshtatur me standardet dhe normat e BE-së.

“Ukraina do t’i bashkohet BE-së. Dhe, ne do ta arrijmë këtë falë ndryshimit të brendshëm të shtetit tonë, i cili është plotësisht në përputhje me interesat e popullit tonë”, theksoi ai.

Raporti i KE-së do të vlerësojë në hollësi se sa shumë i ka përmbushur Ukraina kriteret ekonomike, ligjore dhe të tjera, të cilat janë të nevojshme për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Njëzet e shtatë vendet anëtare pritet të mblidhen në një samit në dhjetor për të vendosur se a ta lejojnë apo jo Kievin t’i nisë bisedimet për anëtarësim.

Vendimi duhet ta ketë mbështetjen unanime të të gjithë anëtarëve të bllokut. Ukraina aplikoi për t’iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e saj të plotë në shkurt 2022.

Këshilli Evropian ua dha statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë në qershor të atij viti.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy