Kievi tha të enjten se radhët po rriteshin në kufirin e tij me Poloninë, ku kamionistët polakë bllokuan kalimet për të katërtën ditë për atë që ata e shohin si konkurrencë të pandershme nga firmat ukrainase.
Protesta e kompanive polake të transportit është e fundit në një seri përplasjesh ekonomike midis fqinjëve, të cilët janë tradicionalisht aleatë të ngushtë, por që marrëdhëniet nuk i kanë edhe aq të mira muajt e fundit.
“Trafiku në kufi ka mbetur i komplikuar (për kamionët) që nga 6 nëntori në tre drejtime,” tha Andriy Demchenko, zëdhënësi i shërbimit kufitar të Ukrainës.
Kievi vlerësoi se rreth 1,700 kamionë ishin në radhë në pritje për të hyrë në Ukrainë.
Shërbimi kufitar i Polonisë kishte publikuar në faqen e tij të internetit vlerësimet e kohës së pritjes në pikat e hyrjes në Ukrainë.
Ai vlerësoi se kalimi me kamion mallrash në pikën e kontrollit Hrebenne do të zgjaste “150 orë”, ndërsa pritja në kufirin në Medyka, më në jug, do të zgjaste “55 orë”.
Protestuesit polakë duan që rivalët e tyre ukrainas t’ua rikthejnë lejet e hyrjes.
Bashkimi Evropian hoqi dorë nga lejet për kompanitë e transportit ukrainas që hyjnë në bllokun 27-vendesh, anëtare e të cilit është Polonia pasi Rusia pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.
Kievi ka thënë se bllokada e kamionistëve polakë dëmton interesat e të dy vendeve dhe se nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare nga kompanitë polake të transportit, shkruan Euronews,
