Ende pa u ftohur mirë karriget nga takimet e fundit në Bruksel, të Kurtit dhe Vuçiqit me krerët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, Bashkimi Evropian ka caktuar takimin e radhës në mes të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic, të cilët do të takohen në Bruksel të enjten e javës që po vjen.
Për ta aranzhuar atë emisari Lajçak ka udhëtuar në Prishtinë ku nuk ka takuar fare Kurtin ndërsa nuk ka shkuar fare në Beograd ku Vuçiq është i zënë me fushatë zgjedhore.
Lajcak tha se me Bislimin janë dakorduar për hapat e mëtejmë ndërsa kur kryenegociatori kosovar foli për këtë tha se ka marrëveshje vetëm për takimin e radhës dhe asgjë tjetër
Kurti ndërkaq duke folur se pse nuk e takoi Lajcakun tha se nuk ka pasur nevijë për diçka të tilla dhe se kjo nuk është hera e parë që Bislimi i vetëm po e takon sllovakun.
Zyrtarisht nga Bashkimi Evropian thonë se takimi Bislimi -Petkoviq do të jetë për të vazhduar aty ku Kurti dhe Vuçiq e kanë lënë më 26 tetor, e që sipas letrës së Scholz, Macron dhe Meloni, vetëm detaje dhe formalitete kanë mbetur për t’u tejkaluar mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ndërmjetësuesi i BE-së po planifikon të organizojë së shpejti një takim në nivelin e kryenegociatorëve për të vazhduar diskutimet për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit në vazhdim të takimit jozyrtar në mbështetje të Dialogut të 26 tetorit”, ka konfirmuar Peter Stano për Express ditë më parë.
Ndryshe Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dje tha se s’do të ketë më negocim dhe kompromise por se bëhet fjalë për implementim.
“S’ka më kompromise, ato kanë përfunduar. Jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen në plotëni, pa parakushte dhe pa vonesa”, ka deklaruar kryenegociatori Bislimi duke përsëritur edhe një herë kërkesën për nënshkrim.
Takimi i 26 tetorit në Bruksel me kancelarin Scholz, presidentin Macron, kryeministren Meloni dhe Charles Michel, Josep Borell dhe Miroslav Lajcak, me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq s’kishte prodhuar ndonjë marrëveshje.
Kurti ishte kërkuar të nënshkruaj marrëveshjet përfshirë draftin për Asociacionin por Vuçiq kishte refuzuar.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, në një paraqitje për media kishte treguar se as Kurti e as Vuçiq s’kanë qenë të gatshëm që ta pranojnë Draftin evropian për Asociacionin pa vendosur parakushte. Por, sipas tij, ata kishin bërë një zotim aty duke thënë se do t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura.
Që dallimet mes palëve janë të vogla, e kanë bërë të ditur edhe treshja Scholz, Macron Meloni. Ata në një deklaratë të përbashkët pas takimit kishin thënë se Kosova duhet të nis themelimin e Asociacionit, ndërkohë që Serbia e jep njohjen de-facto.
Përveç kësaj, liderët e vendeve evropiane duke theksuar nevojën urgjente për progres, kishin bërë thirrje që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, të tejkalojnë urgjentisht dallimet për detaje dhe që formalitetet të mos jenë pengesë në rrugën përpara.
“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë siç është përshkruar në draft Statut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto. Formalitetet, duke përfshirë edhe birësimin, nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje.
Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, thuhej në komunikatën e përbashkët të treshes evropiane.
Këtë deklaratë të tre liderëve e ka rikthyer në vëmendje edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, duke thënë se kërkesa e kryeministrit Albin Kurti për nënshkrim është pak shpërqëndruese, në vend se të ecet përpara me implementim. Hovenier ka thënë se edhe Scholz, Macron dhe Meloni kanë bërë thirrje që të mos ngecet në formalitete si puna e nënshkrimit.
“Dhe mendojmë se është pak shpërqëndruese kjo puna e nënshkrimit, në vend se të lëvizet përpara me implementim dhe ekzekutim nga të dy palët. Dhe ky nuk është vetëm qëndrimi i SHBA-së. Në qëndrimin e Sholz, Meloni dhe Macron, ata folën për rëndësinë e lëvizjes përpara dhe të mos ngecet në çështje, ata përdoren term ndryshe për nënshkrimin, formalitete besoj se thanë, dhe ai mbetet qëndrimi ynë”, ka potencuar Hovenier.
Takimi Bislimi-Petkoviq do të mbahet të enjten e javës që po vjen më 16 nëntor. Mbetet të shihet nëse ata do të kryejnë punë apo BE’së do të duhet t’i ftojë përsëri Kurtin dhe Vuçiqin të cilët pas sulmit terrorist në Banjskë s’janë takuar bashkë.