Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në ora 10:00 për të shqyrtuar pikat e papërfunduara të seancave.Në rend të ditës janë 13 pika.Kuvendi sot pritet të votojë rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, të propozuar nga PDK-ja.
Votimi i kësaj rezolute është bartur disa herë nëpër seanca për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e saj.Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votim.Përveç kësaj, në rend të ditës është edhe miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.Ndërsa, Kuvendi pritet të bëjë edhe zgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, dhe Zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Rendi i ditës
I. Seanca e veçantë, e paraparë më 27 tetor dhe e shtyrë më 2 nëntor 2023:
- Miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës (2023/2880(RSP).
II. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor dhe 2 nëntor 2023: - Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.
III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 3 nëntor 2023:2. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, - Votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,
- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore,
- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë,
- Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022,
- Zgjedhja e 2 (dy) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
- Zgjedhja e 1 (një) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb,
- Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje,
- Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
